SHBA pezullon dërgesat e disa armëve për Ukrainën! Rusia mirëpret vendimin, Kievi paralajmëron pasoja serioze
Shtetet e Bashkuara kanë vendosur të ndalojnë përkohësisht dërgimin e disa armëve dhe raketave të avancuara drejt Ukrainës, duke nxitur reagime të forta si nga Moska, ashtu edhe nga Kievi.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, e mirëpriti vendimin amerikan më 2 korrik, duke deklaruar se “sa më i vogël të jetë numri i armëve që i dorëzohen Ukrainës, aq më afër është fundi i Operacionit Special Ushtarak” – termi që përdor qeveria ruse për të justifikuar pushtimin e Ukrainës.
Vendimi i SHBA-ve erdhi pas një rishikimi nga Departamenti i Mbrojtjes, i cili vendosi të frenojë përkohësisht disa dërgesa, për shkak të shqetësimeve për rezervat e veta strategjike. Mes armëve të pezulluara përfshihen predhat e artilerisë 155 mm dhe raketat interceptuese të sistemit Patriot, të cilat janë kyçe për mbrojtjen ajrore të Ukrainës.
Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Anna Kelly, konfirmoi pezullimin duke theksuar se vendimi është marrë “për të vënë interesat e Amerikës në vend të parë”.
Në Ukrainë, lajmi është pritur me shqetësim dhe zemërim. Ministria e Jashtme ukrainase reagoi menjëherë me një deklaratë të prerë: “Çdo vonesë në mbështetjen e aftësive mbrojtëse të Ukrainës vetëm sa do ta inkurajonte agresorin të vazhdonte luftën dhe terrorin, në vend që të kërkonte paqe.”
Ekspertët paralajmërojnë se ndërprerja e kësaj mbështetjeje mund t’i japë Moskës përparësi në vijën e frontit dhe të minojë aftësitë mbrojtëse të Ukrainës në një moment kritik, kur mbështetja ndërkombëtare është jetike për të ruajtur balancën në terren.