Tragjedi në botën e futbollit: Diogo Jota dhe vëllai i tij humbin jetën në një aksident të rëndë në Spanjë
Bota e sportit është tronditur thellë pas lajmit tragjik për ndarjen nga jeta të sulmuesit të Liverpool-it, Diogo Jota, i cili humbi jetën në një aksident automobilistik në Spanjën veriperëndimore. Lojtari 28-vjeçar portugez, së bashku me vëllain e tij, Andre, u përfshinë në një aksident fatal në orët e para të mëngjesit të së enjtes, pranë qytetit Zamora, në autostradën A-52, në afërsi të Palacios de Sanabria.
Sipas raportimeve të para nga agjencia spanjolle e lajmeve EFE, automjeti me të cilin udhëtonin doli nga rruga rreth orës 00:40 dhe më pas shpërtheu në flakë. Mediat spanjolle, përfshirë El Mundo, kanë konfirmuar se makina po udhëtonte në drejtim të Benaventes kur ndodhi aksidenti fatal.
Kjo tragjedi ndodh vetëm pak ditë pasi Jota kishte kurorëzuar dashurinë e tij në martesë. Ai kishte ndarë me ndjekësit në rrjetet sociale momentet e lumtura nga ceremonia, duke reflektuar një periudhë të qetë dhe të gëzueshme në jetën e tij personale. Sulmuesi la pas gruan dhe tre fëmijët e tij.
Diogo Jota iu bashkua Liverpool-it në shtator të vitit 2020, pas një transferimi nga Wolverhampton Wanderers me një shumë që i kalonte 40 milionë paund. Me fanellën e të kuqve, ai u shndërrua shpejt në një nga lojtarët më të dashur të tifozëve dhe një element kyç në repartin ofensiv të ekipit.
Edhe vëllai i tij, Andre Jota, 26 vjeç, ishte futbollist profesionist, pjesë e klubit portugez Penafiel, që garon në ligën e dytë të Portugalisë.
Klubi i Liverpool-it, autoritetet sportive në Portugali dhe komuniteti i futbollit në mbarë botën pritet të reagojnë zyrtarisht gjatë orëve në vijim për këtë humbje të rëndë.