Lewis Capaldi rikthehet pas dy vitesh: Nuk u largova për t’u rregulluar, por sepse nuk po ia dilja më
Pas një pauze të gjatë nga muzika, Lewis Capaldi ka bërë një rikthim të ndjerë dhe të sinqertë në skenën muzikore, duke emocionuar publikun dhe fansat me rrëfimin e tij personal mbi betejat me shëndetin mendor dhe presionin e famës.
Këngëtari skocez, tashmë 28 vjeç, ka prekur zemrat e ndjekësve me një video të publikuar së fundmi në rrjetet sociale, ku flet për momentet e vështira që e detyruan të tërhiqej nga dritat e skenës dhe për emocionet që shoqëruan rikthimin e tij të shumëpritur, kulmuar me performancën në festivalin Glastonbury gjatë fundjavës së kaluar.
“Po ta përshkruaja me një fjalë si ndihem tani, do të thoja: spektakular”, tha Capaldi, me një ndjeshmëri që rrallë shfaqet publikisht nga artistët e këtij kalibri.
Në videon e ndarë me fansat, ai reflektoi për momentin e tij në Glastonbury në vitin 2023 , një arritje që për shumë do të ishte kulmi i karrierës, por që për të ishte shenjë alarmi.
“Kjo duhet të ishte një nga momentet më të lumtura të jetës sime… por nuk ishte”, rrëfeu ai. “E kisha përmbushur ëndrrën time, por ndihesha sikur nuk isha aty. Kur e pashë videon më vonë, ndjeva vetëm trishtim”.
Capaldi pranoi se ndjeu nevojën për t’u larguar nga skena, jo për të nisur një rrugëtim vetë-zhvillimi, por thjesht sepse kishte arritur kufirin. “Nuk u shkëputa për të punuar me veten. U shkëputa sepse më duhej një pushim. Thjesht nuk po mundesha më”, tha ai hapur.
Në videon emocionale, ai përfshiu edhe pamje nga fëmijëria, një Capaldi i vogël me mikrofon në dorë, plot pasion për muzikën. Përshkrimi i videos ishte po aq prekës:
“Ka qenë çmenduri ta shikoj gjithë këtë rrugëtim mbrapa. Faleminderit që ende jeni këtu.”