Situata e zjarreve në vend/Ministria e Mbrojtjes: 29 vatra në 24 orë, 2 ende aktive, djegur 18 hektarë dhe 220 rrënjë ullinj
Ministria e Mbrojtjes ka publikuar bilancin zyrtar për situatën e zjarreve gjatë 24 orëve të fundit në Shqipëri. Janë raportuar gjithsej 29 vatra zjarri, nga të cilat 2 mbeten ende aktive.
Vatrat janë shfaqur në disa bashki të vendit, përfshirë Elbasanin, Finiqin, Selenicën, Vlorën, Memaliajn, Libohovën, Dropullin, Kamzën, Tiranën, Durrësin, Kavajën, Rrogozhinën, Fierin, Divjakën, Vaut të Dejës, Malësinë e Madhe dhe Lezhën.
Aktualisht mbeten aktive:
• Vatra në vendgrumbullimin e mbetjeve në Elbasan, ku forcat zjarrfikëse vijojnë punën për shuarjen e plotë.
• Vatra në zonën midis fshatit Grazhdan (njësia Livadhja) dhe fshatit Malçan (njësia Dhivër), bashkia Finiq, ku intensiteti ka rënë, por situata mbetet në monitorim të vazhdueshëm.
Sipas raportit zyrtar, deri tani janë djegur rreth 18 hektarë me shkurre, pemë dhe barishte, si dhe rreth 220 rrënjë ullinj.
Në përballimin e situatës u angazhuan:
• 64 automjete zjarrfikëse
• 252 forca operacionale
• 35 efektivë të Forcave të Armatosura, me 4 automjete zjarrfikëse, 4 kamionë vetëshkarkues dhe 1 traktor me zinxhirë.
Instituti i Gjeoshkencave parashikon sot një nivel rreziku të LARTË për zjarre në thuajse të gjitha qarqet.
Ministria e Mbrojtjes bën thirrje për kujdes maksimal nga qytetarët, duke shmangur ndezjen e zjarreve në natyrë, djegien e mbetjeve apo hedhjen e objekteve të ndezshme. Çdo rast zjarri duhet të raportohet menjëherë tek strukturat përkatëse. I gjithë sistemi i mbrojtjes civile është në gatishmëri.