Fri, Jul 4, 2025

Kuvendi në seancë plenare, ministri Balla: Janë trefishuar eksportet bujqësore, synojmë 1000 njësi agroturizmi

  • PublishedJuly 3, 2025

Kuvendi në seancë plenare, ministri Balla: Janë trefishuar eksportet bujqësore, synojmë 1000 njësi agroturizmi

Ministri për Marrëdhëniet me Parlamentin, Taulant Balla, deklaroi sot në Kuvend se qeveria ka shënuar përparim të konsiderueshëm në sektorin e bujqësisë dhe zhvillimit rural. Sipas tij, eksportet bujqësore janë trefishuar krahasuar me periudhën kur vendi qeverisej nga opozita aktuale.

“Janë trefishuar eksportet bujqësore. Nëse në kohën e PD-së importonim 9 kilogramë domate, sot importojmë vetëm 3 kilogramë,” u shpreh Balla.

Ai theksoi gjithashtu zhvillimin e ndjeshëm të zonave rurale, ku aktualisht janë mbi 1000 projekte aktive, ndërsa rreth 300 prej tyre përbëjnë njësi agroturizmi – një koncept që, sipas tij, nuk ekzistonte në qeverisjen e mëparshme.

“Synimi ynë është që të arrijmë në 1000 njësi agroturizmi në gjithë territorin. Në kohën tuaj s’kishte agroturizëm,” tha ai, duke iu drejtuar opozitës.

Në vijim të fjalës së tij, Balla përmendi edhe zgjerimin e sistemit të vaditjes në fshatra, duke deklaruar se aktualisht janë 300 mijë hektarë tokë me sistem vaditës funksional.

“Duam të mbyllim nevojën e çdo familjeje që jeton në fshat për vaditjen. Transformimin e bujqësisë në vend mund ta bëjë vetëm Partia Socialiste,” përfundoi ministri.