Masakër në Çikago, të paktën katër të vdekur dhe 14 të plagosur nga të shtënat me armë jashtë një klubi nate
Të paktën katër persona humbën jetën dhe 14 të tjerë u plagosën nga një sulm me armë zjarri jashtë klubit të natës Artis Lounge, në lagjen River North të Çikagos.
Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 23:00, kur një automjet në lëvizje kaloi pranë klubit në bllokun 300 të West Chicago Avenue dhe persona të armatosur që ndodheshin brenda tij hapën zjarr ndaj një turme që qëndronte jashtë lokalit.
Sipas policisë së Çikagos, tre persona nga brenda makinës qëlluan në drejtim të turmës, e cila mendohet se po largohej nga një festë që ishte mbajtur në klub për promovimin e albumit të reperit Mello Buckzz.
Mes viktimave janë dy djem të moshës 24 dhe 25 vjeç, si dhe dy vajza, identiteti i të cilave ende nuk është bërë publik. Ndërkohë, 14 persona të tjerë janë dërguar në spital me plagë të shkaktuara nga armët e zjarrit, disa prej tyre në gjendje kritike për jetën.
Autoritetet lokale kanë nisur hetimet për identifikimin dhe kapjen e autorëve, ndërsa nuk ka ende një motiv të konfirmuar për këtë sulm të përgjakshëm që ka tronditur komunitetin.