Fri, Jul 4, 2025

“Shqipëria ka nevojë për ligj serioz për investimet e huaja, jo për…”, Jorida Tabaku: Po tallen me integrimin!

  • PublishedJuly 3, 2025

“Shqipëria ka nevojë për ligj serioz për investimet e huaja, jo për…”, Jorida Tabaku: Po tallen me integrimin!

Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka denoncuar në Kuvend përpjekjen e mazhorancës për të kaluar një ndryshim të fragmentuar e të pavlerë në ligjin për investimet e huaja.

Në Kuvend Tabaku deklaroi se amendamenti i propozuar nga deputeti socialist Shalsi, i cili shton thjesht një nen në ligjin e vitit 1993, nuk përfaqëson as reformë dhe as përmbush angazhimet që Shqipëria ka ndaj Bashkimit Europian apo ndaj partnerëve strategjikë si SHBA.

“Ajo që ofron mazhoranca nuk është reformë. Është një tallje me procesin e integrimit. Siç ndodhi me ligjin për koncesionet, për komisionet hetimore, për partneritetin publik-privat, për prokurimet publike, gjithçka mbyllet në sirtarë dhe më pas del në formë gjysmake, pa transparencë dhe pa konsultim. Sot Shqipëria nuk ka nevojë për improvizime apo ligje të një paragrafi” u shpreh Tabaku.

Deputetja theksoi se për hartimin e nismës së saj ligjore është konsultuar për gjashtë muaj me të gjitha dhomat e tregtisë, me Departamentin Amerikan të Tregtisë, ekspertë të sigurisë dhe të klimës së investimeve.

Ajo paralajmëroi për rreziqet që i kanosen Shqipërisë nga mungesa e një kuadri ligjor serioz, veçanërisht në epokën e sfidave të reja globale, ku investitorë nga vende jo partnere po kërkojnë të fusin kapitalin në sektorë strategjikë.

“Në një kohë kur Wall Street Journal paralajmëron për rrezikun që Kina të dominojë zinxhirin e furnizimit të inteligjencës artificiale, Shqipëria nuk mund të rrijë me dyer hapur për investime të dyshimta në teknologji, siguri dhe media,” tha Tabaku.

Ajo kërkoi anulimin e ligjit për investimet strategjike, të cilin e cilësoi si “ligjin më korruptiv të dhjetëvjeçarit të fundit” dhe që shkel të drejtat e pronës private, si dhe Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit me BE-në.

Fjala e Tabakut në Kuvend

Një ditë më parë, gazeta prestigjioze Wall Street Journal analizoi betejën midis Kinës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës në fushën e inteligjencës artificiale. Rreziku i madh që ngre artikulli është se kompanitë kineze jo vetëm ofrojnë inteligjencë artificiale më lirë se SHBA, por gjithashtu po luftojnë për të marrë nën kontroll zinxhirin global të furnizimit për pajisjet që e mundësojnë atë. Ky është një alarm serioz: nuk është vetëm çështje ekonomie – është çështje sigurie kombëtare.

Vetëm ky fakt do të mjaftonte për të kuptuar me qetësi dhe maturi se çfarë dhe si duhet të përballet Shqipëria përballë rrezikut të investimeve që vijnë nga shtete që nuk janë partnerë strategjikë. Kjo është veçanërisht e rëndësishme në sektorë të ndjeshëm si telekomunikacioni, teknologjia ushtarake, mediat dhe sigurisht teknologjitë e inteligjencës artificiale. Nuk ka vend për naivitet. Ka vend për transparencë, maturi dhe vendimmarrje të përgjegjshme.

Beteja mes një tregu konkurrues dhe nevojës për kontroll të investimeve të huaja është një balancë delikate. Kjo peshore nuk duhet të përcaktohet vetëm nga angazhimi i këtij parlamenti, por nga pozicioni i Shqipërisë në aleancat strategjike dhe në negociatat për anëtarësim në Bashkimin Europian. Bota po ndryshon dhe po kalon në një rend të ri botëror. Çdo investim sot duhet analizuar me kujdes. Jemi në një epokë të re pasigurie, që kërkon vendimmarrje të guximshme.

Për këto arsye, si deputete e Kuvendit të Shqipërisë, që nga shtatori i vitit të kaluar kam ndërmarrë një nismë për të hartuar një kuadër ligjor serioz që rregullon investimet e huaja direkte në vendin tonë. Një projektligj që u hartua për më shumë se gjashtë muaj, me kontribute nga dhomat e tregtisë, ekspertë të sigurisë, ekspertë të klimës së biznesit dhe në bashkëpunim të ngushtë me Departamentin Amerikan të Tregtisë.

Dhjetë ditë pas zgjedhjeve, kolegu Shalsi paraqiti një nismë ligjore që nuk përfaqëson asnjë reformë të vërtetë, por një amendim të vetëm, një nen të shtuar në ligjin e vitit 1993. Një nen i vetëm që pretendohet se sjell reformë të plotë për analizën e investimeve të huaja. Ky është rasti tipik i një reforme fasadë, një përpjekje për të treguar se bëhet reformë, ndërkohë që realisht nuk ndryshon asgjë.

Kam këtu komunikimin zyrtar të Dhomës Amerikane të Tregtisë drejtuar Kuvendit të Shqipërisë, ku thuhet qartë se duhet hartuar një kuadër i plotë dhe serioz për investimet e huaja. Po ashtu, rekomandohet anullimi i ligjit për investimet strategjike, i përmendur vazhdimisht nga Komisioni Europian në raportet e progresit si një ligj i padrejtë dhe klientelist.

Ajo që ofron mazhoranca nuk është reformë. Është një tallje me procesin e integrimit. Siç ndodhi me ligjin për koncesionet, për komisionet hetimore, për partneritetin publik-privat, për prokurimet publike – gjithçka mbyllet në sirtarë dhe më pas del në formë gjysmake, pa transparencë dhe pa konsultim.

Sot Shqipëria nuk ka nevojë për improvizime apo ligje të një paragrafi. Ka nevojë për një kuadër të plotë, të integruar, të harmonizuar me acquis të BE-së, që mbron sigurinë kombëtare, të dhënat personale, pronën private dhe interesat e qytetarëve. Këtë synonte nisma jonë, dhe këtë do të kërkojmë derisa të bëhet realitet.