Fri, Jul 4, 2025

Një falënderim për Poloninë

  • PublishedJuly 4, 2025

Një falënderim për Poloninë

DEMUSH SHASHA

Këtë javë përfundoi Presidenca gjashtëmujore polake e Këshillit të BE-së. Dhe ndonëse ne nuk e ndihmuam veten këta gjashtë muaj, Polonia na ndihmoi neve. Gjatës Presidencës së saj filloi heqja graduale e masave ndëshkuese të BE-së. Minimalisht për këtë duhet t’u jemi falënderues miqve tanë polakë.

Këtë javë, Polonia e përmbylli Presidencën e saj gjashtëmujore të Këshillit të BE-së. Ndonëse si pasojë e bllokimit të dialogut agjenda integruese e vendit nuk avancoi, së paku gjatë Presidencës polake filloi heqja graduale e masave ndëshkuese të BE-së. Ky ishte lajm i mirë dhe produkt i angazhimit të Presidencës polake të BE-së. Vendi që e mban Presidencën ka një rol të rëndësishëm në ndikimin e vendosjes së agjendës së punës të Këshillit të BE-së dhe Polonia që nga fillimi i Presidencës së saj ka bërë të qartë se zgjerimi do të jetë një nga prioritetet kyç të saj. Polonia, si vend i cili vetë ka kaluar nëpër proces të zgjerimit, e kupton më së miri rëndësinë e zgjerimit të BE-së drejt rajonit tonë. Në veçanti sot, në këto kohëra, kur Rusia synon ta zhbëjë progresin demokratik që vendet e Evropës Qendrore dhe asaj Lindore e kanë bërë dhe t’i kthejë ato nën ndikimin e Moskës. Kjo është edhe arsyeja përse titulli i Programit të Presidencës Polake të Këshillit të BE-së qe: “Siguria, Evropë!”.

Në 52 faqe të programit të Presidencës polake, fjala që përdoret më së shumti është “siguria”, e cila përmendet 83 herë. Fjala “ekonomia” përdoret 60 herë, ndërsa fjala “demokracia” përdoret 11 herë. Kjo na jap edhe një pikturë të saktë të hierarkisë së sotme të prioriteteve të BE-së. Kjo është edhe e kuptueshme. Presidenca polake e udhëhoqi BE-në në një sfond të jashtëzakonshëm gjeopolitik dhe erozionin më serioz të sigurisë evropiane që nga Lufta e Ftohtë. Evropa po përballet me pasojat e vitit të tretë të agresionit të armatosur të Rusisë kundër Ukrainës. Në optikën e vendeve sikur Polonia, rënia eventuale e Ukrainës do të ishte kërcënim i drejtpërdrejtë për sigurinë polake dhe evropiane. Kjo është edhe arsyeja përse gjatë Presidencës së saj, Polonia zgjodhi që ta forcojë sigurinë evropiane në shtatë dimensionet e saj: të jashtme, të brendshme, të informacionit, të ekonomisë, të energjisë, të ushqimit dhe të shëndetit. Dhe në kuadër të të gjitha këtyre shtatë prioriteteve, Presidenca bëri progres të ndjeshëm.

Në sferën e sigurisë së jashtme, Presidenca polake e garantoi miratimin e paprecedentë të Instrumentit të Veprimit për Sigurinë Evropiane (SAFE), i cili do t’u lejojë shteteve anëtare të BE-së që të marrin deri 150 miliardë euro, me qëllim investimi urgjent në modernizimin e industrisë evropiane të mbrojtjes. Këto mjete do të përdoren për avancimin e mbrojtjes ajrore dhe raketore, për sistemet e artilerisë, për municion, për dronët dhe për sistemet kundër-dronë, për mbrojtjen e infrastrukturës kritike, për sigurinë kibernetike dhe për inteligjencën artificiale. Nën insistimin polak, institucionet e BE-së i njohën projektet “Mburoja Lindore” dhe “Vija e Mbrojtjes Baltike”, si “projekte të interesit kyç” për sigurinë evropiane, duke i kualifikuar kësisoj për financim masiv nga BE-ja. Këto projekte janë pjesë e fortifikimeve dhe e infrastrukturës mbrojtëse evropiane në kufijtë lindorë me Rusinë dhe me Bjellorusinë. Në kuadër të shtrëngimit të sanksioneve ndaj Rusisë, Polonia e siguroi miratimin e paketës 16, 17 dhe 18 të sanksioneve të BE-së. Në anën tjetër, gjatë Presidencës polake mbështetja totale e BE-së për Ukrainën i tejkaloi 150 miliardë euro.

Në agjendën e zgjerimit, Presidenca e miratoi pakon financiare prej 1.9 miliardë eurosh për Moldavinë, hapi dy grupkapituj negociatorë me Shqipërinë dhe e mbylli një kapitull negociator me Malin e Zi. Kosova ka një histori të shtrenjtë të bashkëpunimit me Poloninë në procesin integrues. Gjatë Presidencës së kaluar polake të Këshillit të BE-së në vitin 2011, Polonia ka luajtur rol kyç që Kosova ta fillojë dialogun për liberalizimin e vizave dhe negociatat për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit. Në ndërkohë, çdo qeveri polake dhe me qindra ekspertë polakë i kanë ndihmuar institucionet e Kosovës që t’i thellojnë reformat në Prishtinë dhe të prezantohen këto reforma në Bruksel, para institucioneve evropiane. Kështu ishte Polonia edhe sot në vitin 2025. Përderisa ne nuk e ndihmuam veten me mishmashin e vetëkrijuar institucional, Polonia na ndihmoi me fillimin e heqjes graduale të masave ndëshkuese të BE-së. Minimalisht, për këtë duhet që t’u jemi falënderues miqve tanë polakë./Gazeta Panorama