“Arjan Ndojin donin ta vrisnin me snajper në Lalz”- Përballja e killerave në Gjykatën e Posaçme, akuza e fyerje ndaj njëri-tjetrin! Erion Alibej zbardh bisedat në burg: Dërgojini fjalë aty ku i dhëmb më shume
NIKOLETA KOVAÇI/ Ashtu siç edhe pritej, Erion Alibej është thirrur të dëshmojë në procesin ndaj atentatit të ishprokurorit të Durrësit, ku përballë tij ishin dy personat e sjellë nga Dubai, Plaurent Dervishaj dhe Julian Meçaj.
Alibej teksa ka dhënë fakte dhe detaje për të cilat ka dijeni në lidhje me atë pritë fatale që i mori jetën Andi Malokut dhe plagosi edhe Arjan Ndojin e Aleksandër Lahon, ka tronditur me rrëfimin e tij. Ai i ka thënë gjykatës se në fakt për të eliminuar prokurorin e Durrësit është menduar të përdoret snajper dhe ekzekutimi do të kryhej në zonën e Gjirit të Lalzit. Madje, është kërkuar të gjendet edhe snajperisti, ndërkohë që tjetër fakt tronditës ka qenë episodi i bisedave mes tij dhe Plaurent Dervishajt, i cili për një periudhë jo të vogël kohe u njoh si numri dy i Bandës famëkeqe të Durrësit, e drejtuar nga Lulzim Berisha.
Alibej ka treguar se pas realizimit të atentatit ku u plagos prokurori ka komunikuar me Dervishajn dhe i ka thënë se po përfliteshin për gjurmë dhe prova, ndërsa gjithnjë sipas Alibejt, Dervishaj i ka bërë me dije se ka tentuar të ndërhyjë në laboratorin shkencor për fshirjen e gjurmëve, por i kanë kërkuar 300 mijë euro.
Seanca e djeshme ka vijuar mes tensioneve, sharjeve, fyerjeve dhe edhe kërcënimeve, ndërkohë që është kërkuar largimi i Plaurent Dervishajt nga kafazi, përgjatë kohës që dëshmonte Alibej. Një tjetër fakt interesant i thënë nga dëshmitari i drejtësisë ka të bëjë konkretisht me detajin që sipas tij ka qenë Arjan Ndoj shënjestra e atij atentati dhe jo “Rrumi”, siç është tentuar të devijohet ngjarja që prej asaj dite që ndodhi. I vetmi person që e tha në gjykatë që shënjestra ishte prokurori ishte vetë Ndoj.
PËRPLASJA ME DERVISHAJN
Gjatë dëshmisë Erion Alibej ka zbuluar edhe disa biseda të bëra mes Redjan Rrajës dhe Viktor Ymerit në burgun 302 dhe se si donin ta kërcënonin atë për faktin se po rrëfente gjithçka për ngjarjet kriminale në SPAK, pasi u bë bashkëpunëtor i drejtësisë. Alibej thotë se kishte dëgjuar bisedën mes këtyre të dyve, ku flisnin për të dhe Altin Dumanin. Në këtë rrëfim, ndërhyn Dervishaj duke i thënë me ironi se të vinte keq për familjen apo për prokurorin. Alibej tregon mes të tjerash edhe për një punonjës policie në Elbasan, nga i cili merrte informacione.
Ai tha: “Kodet e mia në aplikacionet e enkriptuara kanë qenë ‘Noku’ në ‘Enchochat’, ndërsa në ‘Sky’, ‘Lizz’ dhe ‘Kumi’. Me Plaurentin besoj që komunikoja me të gjitha këto kodet. Shoku i ngushtë i Arbenit ishte shumë mik me ‘Ilirin e cigareve’. Kam pasur edhe marrëdhënie drejtpërdrejtë me Ilirin. Me erdhën informacione për një person në Durrës, njëri që njihej si ‘Poja’. Nuk e mbaj mend mirë komunikimin e fundit me Plaurentin, por ka qenë pak ditë para se të arrestohesha, 18 shtator 2020 u arrestova. Pas arrestimit tim, nuk kam pasur komunikim për Plaurentin. As me Redjan Rrajën, por në burgun 302 ku unë kam qenë i akomoduar, kanë qenë dhomat e regjimit të mirë. Ngjit me dhomën time ka ardhur Viktor Ymeri, mbi dhomën e tij ka qenë Redjan Rraja. Redjani doli nga dritarja dhe bëri një bisedë me Viktorin. Më kujtohet një bisedë, sepse është institucion i vjetër dhe dëgjohet gjithçka.
Viktori e pyet si po ju shkon procesi, Redjani i thotë ‘po interesohet shoku’. Unë e kuptova direkt që iu referua Plaurentit. ‘Është njeri që po bën namin në SPAK, iu referonte prokurorit Altin Dumani, po flet gjithçka’. Dërgojini fjalë aty ku i dhëmb më shume i tha, te familja. Dhe përmendi ‘Krymin’, e kishte fjalën për mua. Redjani me Viktorin më shante dhe mua dhe prokurorin”.
Plaurent Dervishaj ndërhyn: “Të erdhi keq për prokurorin ty, apo se t’u përmend familja”
Alibej: “Ilir Sharri është ai i cigareve, m’u kujtua mbiemri. Kur i kanë bërë atentatin Plaurentit, ai kishte një pamje filmike, një ‘BMW’ seria 5 që është djegur. Ia kam kërkuar Plaurentit pamjet, se mos ndoshta dalloja personat që njihja aty. Pamjet mi solli me një ‘flash’ përmes Ilirit. Nuk e ndihmove dot me informacion që mund t’i vlente atij, sepse nuk njoha askënd. Arben Muça është shok i ngushtë i Talo Çelës. Unë Plaurentit i kam dërguar një foto të vëllait të tij, pas ekzekutimit të vëllezërve Haxhia. Foton e nxora nga sistemi TIMS. Nga informacionet që kisha, Talo Çela kishte fut vëllain e Ben Muçës për të më ekzekutuar mua. Punonjësi i Elbasanit 5-6 minuta e vononte informacionin nëse ishte në punë.
ATENTATI NDAJ PROKURORIT
Erjon Alibej, i cili po dëshmon në gjyqin në GJKKO për atentatin ndaj Arjan Ndojës në vitin 2019, thotë se e dinte se pas kësaj ngjarjeje qëndronte Plaurent Dervishaj. Ai zbulon edhe bisedat me Dervishajn, i cili sipas tij, i kishte thënë se Redjan Rraja kishte dashur që të futej në automjet për të marrë pjesë në atentat. Alibej thekson gjithashtu se kishin informacione se atentatin e kishte bërë edhe Lul Berisha, ndërsa shton se informacione merrte edhe nga një punonjës policie në Elbasan, me të cilin komunikonte në “Sky” dhe “EnchroChat”.
Përmend gjithashtu se si Plaurenti kujdesej pasi donin ta vrisnin me snajper te një lokal te “Vollga”. Mes të tjerash, ai deklaroi se Dervishaj planifikonte një tjetër atentat ndaj Ndojës, pasi i shpëtoi sulmit të parë. Synimi ishte që ta ekzekutonte në një lokal te Gjiri i Lalzit, ku ish-prokurori e frekuentonte shpesh.
“Me Plaurentin nuk më lidhte asgjë. Plaurentit më vonë i ndodhi një atentat dhe unë interesohesha me Plaurentin si për hallet e mia dhe ia përcillja të gjitha të dhënat. Na vinin fjalë se atentati që i kishin bërë, më thoshin e ka bërë Lul Berisha. Unë ia thashë ta gjykojë vetë këtë informacion. Më vinin dhe informacione për hallet e mia. I kam dërguar edhe në sistemin TIMS foton e njërit me mbiemër Kabashi. Kam pasur një punonjës policie gjatë gjithë periudhës që më jepte të dhëna gjithë kohën. Ka qenë punonjës policie në Elbasan. Punonjësit ia shpërbleja ndihmën. E pajisa edhe me ‘Sky’ dhe me ‘EnchroChat’. Ia bëja unë rimbushjen. Rimbushja ka qenë 600 euro në atë periudhë. Redjan Rrajën e kam dëgjuar përherë të parë në televizor”.