Sat, Jul 5, 2025

Akon heq dorë nga qyteti futurist në Senegal, nis një projekt të ri më realist

  • PublishedJuly 5, 2025

Akon heq dorë nga qyteti futurist në Senegal, nis një projekt të ri më realist

Planet madhështore për ndërtimin e një qyteti futurist në Senegal, të njohur si Akon City, janë zyrtarisht të anuluara. Lajmin e ka konfirmuar Serigne Mamadou Mboup, kreu i zhvillimit të turizmit në Senegal (Sapco), duke theksuar se tashmë është rënë dakord për një projekt të ri dhe më të realizueshëm.

“Projekti Akon City nuk ekziston më,” u shpreh ai për BBC-në, duke shtuar se në bashkëpunim me këngëtarin dhe sipërmarrësin Akon (Alioune Badara Thiam), po përgatitet një nismë më konkrete që do të ketë mbështetjen e plotë të autoriteteve senegaleze.

Akon, i njohur për hitet e tij në vitet 2000 dhe me rrënjë nga Senegali, kishte shpallur në vitin 2018 dy projekte të mëdha: ndërtimin e Akon City dhe krijimin e një kriptomonedhe të re, Akoin, që do të përdorej si valuta kryesore e këtij qyteti.

Megjithatë, pesë vite më vonë, vendi ku duhej të ngrihej qyteti futurist, një sipërfaqe prej 800 hektarësh në Mbodiène, rreth 100 km nga Dakar mbeti i pashfrytëzuar. E vetmja ndërtesë që ndodhet aty është një strukturë pritjeje e papërfunduar, ndërsa mungojnë rrugët, ndërtesat, rrjeti elektrik dhe çdo shenjë tjetër e zhvillimit.

Banorët e zonës, që dikur kishin shpresuar për vende pune dhe zhvillim ekonomik, janë zhgënjyer thellësisht. “Na u premtuan shumë, por nuk kemi parë asnjë ndryshim,” shprehet një prej tyre. Ndërkohë, edhe kriptomonedha Akoin ka pasur vështirësi të shumta, duke dështuar të fitojë besimin e investitorëve dhe përballur me sfida ligjore, pasi Senegali përdor frangën CFA, të rregulluar nga Banka Qendrore e Shteteve të Afrikës Perëndimore.

Fillimisht, Akon City ishte konceptuar si një qytet i teknologjisë së lartë, i ndërtuar tërësisht me energji të rinovueshme dhe i pajisur me spital, shkolla, qendra tregtare dhe një central diellor. Por, pavarësisht deklaratave optimiste të Akon në vitin 2022, ndërtimet nuk nisën kurrë pas ceremonisë së inaugurimit.