Sat, Jul 5, 2025

Tirania e shumicës, mësime nga Tocqueville për krizën e Kosovës

  • PublishedJuly 5, 2025

NGA ADRI NURELLARI 

Në pranverën e vitit 1831, një aristokrat i ri francez, vetëm 25 vjeç, Alexis de Tocqueville, hipën në një anije drejt Amerikës, jo për të eksploruar botën, por për të zbuluar thelbin e një rendi të ri shoqëror. Ai shoqërohej nga një koleg jurist nën një mision shtetëror për të studiuar burgjet amerikane. Mirëpo, më shumë se novacioni nëpër burgje, Tocqueville-in e tërhiqte sistemi politik amerikan dhe pyetja: Si ndodhi që drita e iluminizmit, e lindur në sallonet aristokratike të Parisit, gjeti strehë dhe lulëzoi mes fushave të Virxhinias dhe kishave të Bostonit? Gjetën pikërisht në Amerikë terrenin më të përshtatshëm për të zënë rrënjë? Pasi udhëtoi kryq e tërthor për plot 9 muaj, Tocqueville nuk shkroi vetëm raportin zyrtar për burgjet, por edhe një libër të jashtëzakonshëm që mbetet një klasik për universitetet: “Demokracia në Amerikë”.

Përgjigjja kryesore për pyetjen e shtruar sipas tij qëndronte jo vetëm në largësinë nga strukturat feudale të vjetra, por edhe në karakterin unik shoqëror dhe moral të kolonive amerikane. Aty dominonin shpesh komunitete fetare, kulturore apo etnike që kishin emigruar nga Evropa pikërisht për t’i shpëtuar përndjekjes së shumicave, qoftë nga kisha shtetërore, monarkitë absolutiste apo kolonizatorët që u impononin identitete dhe besime të huaja. Amerika që ai pa ishte si një arkë e Noes për komunitetet e përndjekura mbushur me: puritanët anglezë, të përndjekur nga Kisha Anglikane; kuakerët dhe baptistët, të shtypur për devijimet e tyre doktrinare; hugenotët protestantë francezë, të dëbuar nga monarkia katolike; katolikët irlandezë, të diskriminuar nga pushtuesit protestantë britanikë; holandezët, që iknin nga dominimi dhe represioni spanjoll gjatë luftës 80-vjeçare; luteranët gjermanë, të larguar për shkak të konflikteve sektare apo shtypjes nga absolutizmi prusian; hebrenjtë, që kërkonin një strehë të sigurt larg pogromeve mizore të Evropës Lindore etj..

Ky mozaik i pasur i komuniteteve të përndjekura ndërtoi një shoqëri me kujtesë të freskët të persekutimit nga shumica. Ata e njihnin nga afër dhe e kishin provuar nën lëkurë peshën e dhimbshme të intolerancës, kur shumica, në emër të moralit, kombit apo fesë, kthehej në armë shtypëse kundër individit dhe çdo zëri ndryshe. Prandaj, në themel të demokracisë amerikane u vendosën parime të forta të lirisë së fjalës e ndërgjegjes, të drejtave të individit dhe mbrojtjes së pakicës, si një garanci për të shmangur përsëritjen e tiranisë që këta njerëz kishin lënë pas. Në këtë kontekst, Tocqueville, me syrin e hollë të vëzhguesit të shoqërisë dhe ndjeshmërinë e njeriut që kërkon thelbin përtej fasadës, kuptoi çelësin e suksesit të demokracisë amerikane dhe vuri në dukje se demokracia nëpër botë nuk kanosej më nga tirania e tiranëve, por nga tirania e shumicës. Në vend të sundimit nga një sovran absolut, kërcënimi potencial vinte nga turma, sepse tani ekzistonte mundësia që shumica të merrte rolin e pushtetit shtypës. Me legjitimitetin që i jep vota, shumica mund të ushtrojë presion mbi mendimin ndryshe, jo përmes dhunës, por përmes normave, përjashtimit dhe konformizmit social.

Tirania e re nuk ka nevojë për mjete represive klasike të dhunshme; ajo funksionon përmes opinionit publik dhe frikës nga stigmatizimi kolektiv. Ky ishte thelbi i paralajmërimit të Tocqueville-it: se demokracia nuk garanton automatikisht lirinë individuale dhe se çdo sistem demokratik, pavarësisht formës, mbart potencialin për abuzim nëse nuk investohet në një kulturë të thellë demokratike dhe nëse nuk ndërtohen mekanizma mbrojtës institucional ndaj pushtetit të shumicës. Ky është edhe leksioni më i vlefshëm për Kosovën e sotshme: se demokracia pa kontroll mund të devijojë në një formë tjetër të kontrollit; me fytyrën e shumicës, por me efektet e autoritarizmit. Pra, liria nuk është kurrë e sigurt, madje as nën flamurin e demokracisë. E bëra gjithë këtë tregim për të nxjerrë në pah se paralajmërimi i Tocqueville-it është më i rëndësishëm se kurrë për krizën aktuale. Pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve të 9 shkurtit, Kosova po përballet me një krizë institucionale dhe kushtetuese që pasqyron pikërisht këtë fenomen: një shumicë relative parlamentare që nuk po përdor pushtetin për të ndërtuar institucione funksionale dhe për të përfaqësuar interesat e gjithë qytetarëve, por për t’i bllokuar ato dhe për të imponuar kontroll autoritar në emër të shumicës. Kjo është tirania e shumicës në veprim: kur legjitimiteti i fituar me votë përdoret për të uzurpuar dhe bllokuar proceset demokratike, duke e shndërruar shumicën në një pushtet shtypës që minon pluralizmin dhe institucionet.

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese përfaqësoi një përpjekje për të rikthyer disiplinën kushtetuese dhe për të penguar degjenerimin e mëtejshëm të demokracisë. Gjykata nuk la më hapësirë për lojëra politike apo alibi propagandistike, por i tregoi me gisht problemet dhe përgjegjësit dhe i vuri një vijë të kuqe arrogancës parlamentare që po e mban peng Kosovën. Për sa i përket afatit 30-ditor të funksionalizimit të Kuvendit, Gjykata Kushtetuese hoqi çdo hamendësim duke thënë se “brenda këtij afati duhet të realizohen të gjitha veprimet kushtetuese që rezultojnë në konstituimin e Kuvendit”. Pra, jemi tashmë në shkelje ose mos-përmbushje të detyrimeve kushtetuese, sepse kanë kaluar 100 ditë. Ajo kujtoi se rendi i ditës i seancës konstituive nuk është një menu që mund të ndryshohet sipas dëshirës, por një strukturë kushtetuese e pandryshueshme që garanton funksionimin institucional. Po ashtu, theksoi se votimi i fshehtë nuk mund të imponohet si manovër taktike pa një bazë kushtetuese dhe procedurale. Vendimi gjithashtu përcaktoi pa ekuivok se Kuvendi duhet të konstituohet medoemos brenda 30 ditësh nga dita e shpalljes së aktgjykimit. Për më tepër, aktgjykimi sqaroi se e drejta ekskluzive për të propozuar kandidatin për kryetar të Kuvendit është njëkohësisht edhe detyrim për grupin parlamentar më të madh që të sigurojë shumicën nëpërmjet dialogut dhe kompromisit.

Nga ana tjetër, deputetët kanë të drejtën të votojnë sipas vullnetit të tyre të lirë dhe nuk mund t’u imponohet me zor një kandidaturë nga shumica. Me fjalë të tjera, gjykata theksoi se shumica nuk ka privilegjin për të sunduar, por detyrimin për të bashkëpunuar me të tjerët përmes kompromisit politik, si thelb i një sistemi pluralist. Këtu ia vlen të bëhet një ndalesë sqaruese për të gjithë ata zëra që ose i servilosen pushtetit të Kurtit ose e kanë keqkuptuar demokracinë, të cilët kërkojnë që opozita të nënshtrohet dhe të votojë kandidaturën e Haxhiut. Në një demokraci funksionale, opozita nuk është as dekor për të zbukuruar skenën politike as vetëm një numër që plotëson kuotat e parlamentit. Ajo është mbrojtësja kryesore e ekuilibrit dhe frenave ndaj arbitraritetit të shumicës. Sikurse sqaron Tocqueville, demokracia nuk është thjesht vota e shumicës që sundon pa kufij, por një sistem rregullash, kontrollesh dhe ndarjesh pushteti që frenojnë çdo tentativë për kapje apo dominim absolut. Kur shumica e kalon vijën e kuqe, opozita ka jo vetëm të drejtën, por edhe detyrën e pamohueshme për t’u ngritur në mbrojtje të institucioneve, për të bllokuar dhe për të denoncuar. Të kërkosh nga opozita të qëndrojë thjesht pasive, ose për më keq, të mbështesë sjelljen destruktive të shumicës, është njësoj sikur të kërkosh që frenat e makinës të mos funksionojnë ndërkohë që makina po rrëshqet drejt humnerës.

Dhe më e trishta është se ka shumë qytetarë të thjeshtë apo persona publikë, që nuk janë pjesë e ndonjë kampi politik, por që automatikisht i bashkohen palës më të fortë, duke i dhënë përparësi pushtetit mbi parimet dhe duke kërkuar nënshtrimin e opozitës ndaj vullnetit arrogant të shumicës. Ky fenomen nuk është thjesht një zgjedhje racionale, por shpesh buron nga reflekse të thella sociale dhe historikë, siç mund të jetë tendenca tribaliste për t’u vetëmbrojtur duke u strukur brenda një grupi dominues, apo oportunizmi që kërkon siguri në krahun e fituesit për përfitime personale. Po ashtu, kjo mund të shihet si trashëgimi e traumave historike, ku mbijetesa ka qenë e kushtëzuar nga përulja apo bindja ndaj autoritetit të fortë, pavarësisht nga drejtësia e çështjes. Në të vërtetë, fisnikëria dhe njerëzillëku maten pikërisht me qëndrimin pranë të dobëtit, pasi i forti nuk ka nevojë për mbrojtje shtesë. Por, cilado qoftë origjina, ky lloj qëndrimi është në kontrast të hapur me parimet themelore të demokracisë, që kërkojnë angazhim qytetar bazuar në vlera, dialog dhe përgjegjësi morale, dhe jo në dorëzim ndaj forcës apo konformizmit pasiv. Në këtë mënyrë, ky refleks i largon individët nga roli i tyre kritik si mbrojtës të shtetit ligjor dhe i dobëson themelet e pluralizmit dhe debatit demokratik. Situata bëhet akoma më e rëndë dhe e koklavitur, tashmë që verdikti i Gjykatës Kushtetuese (i cili duhej të ishte udhërrëfyes i detyrueshëm për çdo institucion) është shkelur pa drojë, në mënyrë flagrante.

Në vend që të sillte zgjidhje, shumica në pushtet ka zgjedhur të sfidojë edhe vendimin më të lartë juridik të vendit, duke e kthyer krizën nga politike në sfidë të hapur kushtetuese. Vendimi për Komisionin për Votim të Fshehtë nuk ka bazë kushtetuese ose rregullatore dhe prish rendin e përcaktuar të seancës konstituive, i cili nuk mund të ndryshohet në mënyrë arbitrare. Përpos kësaj, ndërprerja e seancës nga kryesuesi është e paligjshme dhe pengon zhvillimin normal të procesit parlamentar, duke zvarritur zgjedhjen e kryetarit dhe thelluar krizën institucionale. Ajo që po ndodh sot në Kosovë nuk është thjesht një ngërç parlamentar, por një kambanë alarmi për të gjithë ata që besojnë në rendin demokratik. Po përjetojmë një përballje dramatike mes dy vizioneve të të kuptuarit të demokracisë: njëra që e redukton atë në aritmetikë parlamentare, ku shumica bën ç’të dojë dhe tjetra, ajo që e sheh demokracinë si një arkitekturë të ndërtuar mbi rregulla, kontroll, balancë, respekt institucional dhe frymë bashkëpunimi. Kur një mazhorancë zgjat pushtetin përmes bllokadës dhe sfidimit të Gjykatës Kushtetuese, nuk kemi më të bëjmë me një përfaqësim legjitim, por me një formë të re dhe më tinëzare të autoritarizmit. Prandaj, ky nuk është moment për indiferencë, as për konformizëm.

Kosova sot ka nevojë më shumë se kurrë për zëra të ndërgjegjshëm, për qytetarë që nuk i bashkohen automatikisht “të fortit”, por që ngrihen në mbrojtje të parimeve, të ligjit dhe të vlerave themelore që Tocqueville i pa si gur themeli të magjisë së demokracisë amerikane. Ky është momenti për të ngritur zërin, për të mbrojtur shtetin e së drejtës dhe për të kërkuar llogari, sepse historia nuk e fal indiferencën dhe demokracia nuk mbrohet vetë. Ajo ka nevojë për qytetarë që nuk përkulen përballë forcës, por që qëndrojnë në krah të së drejtës, edhe atëherë kur e drejta nuk i pëlqen turmës apo pushtetit./Gazeta Panorama