Sun, Jul 6, 2025

Kërcënimi me bombë ndaj Kuvendit të Kosovës, ministri Sveçla: Pas tij fshihet shtetasi serb Lazar Zhivkoviç

  • PublishedJuly 6, 2025

Kërcënimi me bombë ndaj Kuvendit të Kosovës, ministri Sveçla: Pas tij fshihet shtetasi serb Lazar Zhivkoviç

Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, ka deklaruar se kërcënimi me bombë ndaj Kuvendit të Kosovës, i bërë më 5 korrik 2025, ka ardhur nga territori i Serbisë dhe është lidhur me një numër telefoni në pronësi të shtetasit serb, Lazar Zhivkoviç.

Në një postim në Facebook, Sveçla tha se institucionet e sigurisë në Kosovë e kanë trajtuar këtë rast si një sulm hibrid serioz ndaj institucioneve të vendit, duke theksuar se rasti po hetohet me prioritet të lartë.

“Numri i telefonit nga i cili është bërë kërcënimi është i regjistruar në Serbi dhe i përket kompanisë telefonike MTS. Shfrytëzuesi i numrit ka qenë ose është shtetasi serb Lazar Živković. Në disa profile të lidhura me këtë numër është gjetur fotografia e kriminelit të luftës Ratko Mladić”, thuhet në deklaratën e ministrit.

Sveçla theksoi se Kosova do të kërkojë mbështetje ndërkombëtare për identifikimin, arrestimin dhe sjelljen para drejtësisë të personave përgjegjës për kërcënimin. Ai shtoi se “sulmuesit dhe kërcënuesit që strehohen në Serbi, pavarësisht mbështetjes nga shteti serb, nuk do të arrijnë t’i shmangen përgjegjësisë”.

Kujtojmë se Ratko Mladiç, ish-komandant i Ushtrisë së Republikës Serbe (VRS), u dënua me burgim të përjetshëm nga Mekanizmi Ndërkombëtar për Gjykatat Penale në vitin 2021 për gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe shkelje të ligjeve të luftës gjatë konfliktit në Bosnjë e Hercegovinë në periudhën 1992–1995.

Autoritetet e Kosovës janë duke koordinuar me partnerët ndërkombëtarë për të garantuar sigurinë e institucioneve dhe për të parandaluar çdo tentativë destabilizimi nga elementë të huaj.