Berisha: Nëse zgjedhjet do përsëriteshin, do ndryshonim kandidaturat! Programi ynë ishte më i miri
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, në një intervistë online me gazetarë të diasporës, u ndal te mundësia e ripërsëritjes së zgjedhjeve parlamentare dhe çfarë do të bënte ndryshe në një skenar të tillë.
I pyetur konkretisht, Berisha u shpreh se do të kishte ndryshime në përzgjedhjen e kandidatëve. “Nëse do të ribëheshin zgjedhjet, mund të kishte ndryshime në kandidatura, pa mëdyshje, mund të kishte angazhime më të gjëra”, tha ai.
Berisha nënvizoi se, pavarësisht rezultateve, programi i Partisë Demokratike ka qenë më i miri që është hartuar ndonjëherë. Ai theksoi se pas tij qëndronte ekspertiza e ekipit që ka fituar zgjedhjet presidenciale në SHBA. “Është bërë një punë shumë e madhe”, shtoi ai.
Megjithatë, sipas Berishës, në një realitet ku zgjedhjet nuk janë të ndershme, opozita nuk ka shanse të fitojë. “Në kushtet e një farse elektorale, opozita nuk fiton, vota vdes pa hyrë në kuti”, deklaroi ai.
Berisha: Nëse do të ribëheshin zgjedhjet, mund të kishte ndryshime në kandidatura, pa mëdyshje, mund të kishte angazhime më të gjëra. Por, në këto zgjedhje mund të them se programi ka qenë më i mirë se kurrë, ekspertiza për zgjedhjet ka qenë ekspertiza e ekipit fitimtar të zgjedhjeve në SHBA.
Edhe në 2005 kam pas ekspertizën e fituesve më SHBA. Në doktrinën elektorale besohet se fitimtarët e zgjedhjeve presidencial enë SHBA, janë ekspertët më të mirë. Është bërë një punë shumë e madhe, por në kushtet e një farëse elektorale opozita nuk fiton, vota vdes pa hyrë në kuti.
