Takimi Netanyahu–Trump në Shtëpinë e Bardhë zhvillohet me dyer të mbyllura, pa deklarata për mediat
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, dhe presidenti amerikan, Donald Trump, do të takohen sot në Shtëpinë e Bardhë në një takim me dyer të mbyllura, pa praninë e mediave dhe pa deklarata publike, sipas agjendës zyrtare.
As momenti i mbërritjes së Netanyahut në orën 18:30 (me orën lokale në SHBA), që zakonisht shoqërohet me transmetim apo fotografim zyrtar, nuk do të jetë i hapur për gazetarët. Pas takimit kokë më kokë, dy liderët do të marrin pjesë në një darkë private, bashkë me bashkëshortet e tyre.
Kjo vizitë dallon nga dy udhëtimet e mëparshme të Netanyahut në SHBA këtë vit, pasi nuk është planifikuar asnjë konferencë për shtyp dhe as foto zyrtare nga Zyrja Ovale.
Përpara darkës me Trumpin, Netanyahu do të zhvillojë takime edhe me Sekretarin amerikan të Shtetit, Marco Rubio, dhe të dërguarin e posaçëm për Lindjen e Mesme, Steve Witkoff. Ky takim do të mbahet në Blair House, rezidenca ku është akomoduar gjatë qëndrimit në Washington.
Të martën, ai do të takohet me zëvendëspresidentin J.D. Vance dhe më pas me anëtarë të Kongresit në Capitol Hill. Ndërsa të mërkurën do të vizitojë Pentagonin për një takim me Sekretarin e Mbrojtjes, Pete Hegseth, përpara se të marrë pjesë në një darkë gala me liderë të komunitetit hebre dhe atij ungjillor në SHBA.
Netanyahu pritet të kthehet në Izrael ditën e enjte.
