“Përpjekjet për të cenuar pavarësinë e SPAK rrezikojnë kufijtë kushtetues”, Dumani: Rekomandimet s’kanë karakter detyrues
Kreu i SPAK, Altin Dumani, ka theksuar rëndësinë e komunikimit institucional brenda kufijve kushtetues, gjatë një tryeze të mbajtur për vlerësimin e performancës së SPAK.
Në fjalën e tij, Dumani vlerësoi marrëdhënien e mirë me Kuvendin dhe institucionet e tjera, duke theksuar se SPAK i mirëpret rekomandimet, për sa kohë ato bazohen në analiza të thelluara, objektive dhe janë të konsultuara me institucionet e pavarura.
“Ndërhyrjet me karakter konstruktiv janë të mirëpritura, kur janë të argumentuara mirë dhe i shërbejnë nevojave reale për përmirësim,” deklaroi ai.
Megjithatë, kreu i SPAK paralajmëroi për rreziqet që sjellin rekomandimet e paqarta ose të njëanshme, të cilat sipas tij mund të cënojnë pavarësinë funksionale të institucionit dhe të ç’balancojnë kufijtë kushtetues mes pushteteve.
“Rekomandimet nuk kanë rol detyrues për SPAK, por janë orientuese dhe mbështetëse,” sqaroi Dumani.
Altin Dumani: Në raportin e SPAK do gjeni edhe shpjegimet si janë përmbushur rekomandimet e Kuvendit apo të Këshillit të ministrave. Vlerësojmë se rekomandimet do bazohen në analiza të thelluara, objektive dhe të konsultuara me institucionet e pavarura Kushtetuese në mënyrë që të sigurohet një komunikim funksional pa tejkaluar kufijtë Kushtetues.
Duhet të përmend këtu marrëdhënien e mirë që kemi me Kuvendin, para se të finalizohet raporti i vlerësimit për institucionet apo të nxirren rekomandimet, ne kemi një komunikim mes institucioneve tona dhe po të shohësh në vite rekomandimet e Kuvendit, kanë qenë të lidhura ngushtë me SPAK dhe ne më parë jemi përpjekur t’i reflektojmë dhe përmbushim.
Ndërhyrjet me karakter konstruktiv janë të mirëpritura kur janë të argumentuara mirë dhe i shërbejnë nevojave reale për përmirësim. Çdo përpjeke për të cenuar pavarësinë funksionale të SPAK, nëpërmjet rekomandimeve të paqarta ose të njëanshme, rrezikojnë të ç’balancojnë kufijtë kushtetues mes pushteteve.
Është thelbësore që të kemi një kuptim të qartë ligjor të natyrës së këtyre rekomandimeve, në thelb ato nuk kanë rol detyrues për SPAK, por orientues, mbështetës në frymën e ndërtimit të një sistemi më efikas të drejtësisë. Vetëm duke respektuar ndarjen e pushteteve dhe rolin e institucioneve të pavarura, mund të ruajmë balancën Kushtetuese që i jep kuptim reformës në drejtësi dhe besimit të publikut ndaj saj.