Tue, Jul 8, 2025

Avokati i Salianjit flet pas vendimit të Gjykatës së Fierit: U lirua pas rekomandimeve pozitive dhe qëndrimit të prokurorit

  • PublishedJuly 8, 2025

Avokati i Salianjit flet pas vendimit të Gjykatës së Fierit: U lirua pas rekomandimeve pozitive dhe qëndrimit të prokurorit

Avokati i ish-deputetit të Partisë Demokratike, Ervin Salianji, Ledio Braho, ka reaguar pas vendimit të Gjykatës së Fierit, e cila vendosi lirimin me kusht të klientit të tij, pas mbi nëntë muajsh qëndrimi në burg.

Në një deklaratë për mediat, Braho konfirmoi se gjykata pranoi kërkesën e Salianjit duke u bazuar në dokumentacionin dhe qëndrimet pozitive të institucioneve përkatëse.

“Gjykata e Fierit, pas rekomandimeve pozitive të IEVP Fier dhe Shërbimit të Provës, si dhe qëndrimit pozitiv të Prokurorit në lidhje me kërkesën e depozituar, vendosi lirimin e tij të parakohshëm me kusht”, u shpreh Braho.

Ndërkohë, pas përfundimit të seancës, vetë Ervin Salianji u shpreh shkurtimisht për mediat:

“Do të jem në konferencë në orën 17:00 në selinë e PD-së”, tha ai, përpara se të shoqërohej nga efektivët drejt furgonit të policisë.

Salianji u dënua me një vit burg nga Gjykata e Apelit më 26 shtator 2024, për akuzën e “kallëzimit të rremë”, në lidhje me denoncimin që ai kishte bërë ndaj Geron Xhafës, vëllai i ish-ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj.