Rama publikon pamje nga Lungomare: “Ja si doli në dritë Vlora, pa ‘rraqet’ që e shëmtuan”
Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish për aksionin e qeverisë për lirimin e hapësirave publike, duke publikuar këtë herë foto nga shëtitorja e Lungomares në Vlorë.
Në pamjet e shpërndara në rrjetet sociale, duket se trotuaret janë pastruar nga tavolinat dhe karriget e bizneseve që më parë kishin zaptuar vendin publik. Rama shkruan se ky transformim është rezultat i heqjes së “barrikadave absurde” dhe të asaj që ai e quan “frymën kioskëzuese”.
“VLORA sot pasdite. Ja se si doli në dritë Lungomarja, thjesht duke hequr barrikadat absurde dhe frymën e shëmtimit kioskëzues, ndërkohë që të gjithë kanë hapësirën e tyre, edhe qytetarët, vizitorët, turistët, edhe njësitë e shërbimit, të çliruara nga “rraqet” e tepërta dhe të tërhequra qytetarisht në zonën e tyre”, – shkruan Rama në Facebook.
Ky postim vjen vetëm pak ditë pasi kryeministri kërkoi dorëheqjen e drejtuesve të Bashkisë së Vlorës, pikërisht për shkak të tolerimit të zaptimit të hapësirave publike. Aksioni, që nisi në Vlorë, tashmë është shtrirë edhe në Fier e Durrës.
https://www.facebook.com/share/1Bit3R9N2Q/?mibextid=wwXIfr