Ermal Mamaqi rrëfen arsyen e largimit nga televizioni: E ndjeva që po bie
Ermal Mamaqi ka vendosur të flasë hapur për vendimin e tij për t’u tërhequr nga televizioni. I ftuar në emisionin “Flet”, ai tregoi për herë të parë arsyet që e çuan drejt këtij vendimi, duke pranuar se e ndjeu se ishte momenti për të mbyllur një kapitull të rëndësishëm në karrierën e tij.
“Mendoj që koha ime për atë lloj shoë kishte kaluar,”- tha Mamaqi, duke shtuar se kishte filluar të vërejë një rënie në performancën e tij.
“E di kur është momenti më i mirë për të mbyllur një bisedë? Kur është në kulmin e saj. E ndjeva që po shkoja poshtë dhe aty mbaroi.”
I njohur për transformimet e tij të shpeshta në karrierë, Mamaqi theksoi se nuk i mungon televizioni, sidomos tani që është i përfshirë në projekte të tjera dhe ka gjetur mënyra të tjera për të realizuar veten.
“Televizioni është një mashtrim i madh. Nuk më mungon. Kur e realizon veten në forma të tjera, nuk ndjen më mungesën e ekranit,” – u shpreh ai.
Megjithatë, për adhuruesit e tij ka ende vend për shpresë. I pyetur për një rikthim të mundshëm, Mamaqi nuk e përjashtoi mundësinë, por vuri një kusht të qartë:
“Më kanë ardhur disa oferta. I kam falënderuar, por nuk më kanë bindur. Nëse do të vinte një projekt ndryshe, sfidues, do ta pranoja me kënaqësi.”