Wed, Jul 9, 2025

Shoqëri moderne, apo e përgjumur nga konsumizmi?

  • PublishedJuly 9, 2025

Shoqëri moderne, apo e përgjumur nga konsumizmi?

NGA GËZIM TUSHI

Ka qenë konstante e parashikuar e shoqërisë moderne, ndaj nuk është e papritur prirja me të cilën po ndeshet shoqëria shqiptare sot: rendje e shfrenuar e njeriut pas parasë, fitimit, konsumit si qëllim në vetvete dhe kënaqësive të tjera. Në kushtet e një shoqërie të lirë, e cila ka gjithnjë prirje të pakthyeshme individualizuese, duken në mënyrën më evidente të mundshme, kufizimet e dimensionit të saj social, të humanitetit dhe solidaritetit. Gjithnjë e më tepër njeriu po bëhet i pavarur nga shoqëria dhe komuniteti, gjithnjë e më shumë ai po largohet nga prirjet sociale dhe solidariteti.

Njeriu në shoqëri ka prirje të jetë i “vetëmjaftueshëm”, synon jetë të mbyllur dhe plotësim sa më maksimal të kërkesave materiale të tij. Paraja, fitimi, konsumi, tashmë janë kthyer në imperativ, në kërkesë ultimative dhe kusht ekzistencial për individin. Ai tashmë garën e fitimit, konsumit nuk i ka më imperativa ekzistencialë, por çështje krenarie, gare, evidentimi social. Me fjalë të tjera, shoqëria jonë po ndeshet me dukurinë masive të rendjes së shfrenuar të njeriut, individit, familjes pas fitimit si të tillë, pas grumbullimit të parasë dhe konsumit të pandërprerë. Kjo tendencë e theksuar “materialiste” e jetës moderne në shoqërinë shqiptare, ka obseduar individin deri në thellësi të “qelizave jetësore” të tij. Fitimi, paraja, konsumi janë kthyer në makth të përditshëm, në motivin themelor ekzistencial të tij, duke spostuar gjithnjë e më shumë kërkesat kulturore, humane, spirituale e sociale. Në një farë mënyre, duket se shoqëria jonë po shfaq tendencën e braktisjes radikale të nevojave dhe kërkesave “jo materialiste” të natyrshme, jetike e thelbësore për jetën normale e dimensionin human të njeriut.

Konsumizmi material është kthyer në sindromë sociale në një patologji masive, e cila sikurse duket, po shoqërohet në mënyrë antinomike me braktisje të nevojave “jo materiale” për art, kulturë, sjellje morale, marrëdhënie sociale, vullnetarizëm, solidaritet, komunikim interpersonal, kontribut komunitar, dhënie shërbimesh për njerëzit në nevojë etj.. Reduktimi konsumerist dhe pandemia materialiste janë fenomene me peshë sociale evidente, të cilat po sjellin rënie të interesit të njerëzve tanë për shoqërinë në tërësi, miqësinë, librin, artin, jetën komunitare. Braktisja e motivit jo materialist të jetës, “mbytja” e individit në botën e sendeve të “ftohta”, gllabërimi i jetës nga obsesioni frenetik i parasë, qëllimeve për fitim, plotësim maksimal të dëshirave eksentrike e kënaqësive parazitare, pasive, është një kthyer në një nga plagët sociale më të agravuara dhe njëherësh edhe një nga deformimet kërcënuese ekzistenciale të funksionimit të shoqërisë si model social. Ku po vemi? Është i lehtë konstatimi social, por nuk është e lehtë përgjigjja e kësaj pyetjeje ekzistenciale.

Nuk është e lehtë përgjigjja, sepse në kohën moderne, kanë ndryshuar shumë gjëra themelore në raportet e njeriut me paratë, sendet, konsumin, duke “përmbysur” disa norma sociale e parime individuale, të cilat në shoqëritë e mëparshme kanë qenë “shtylla ekzistenciale”, bazë për funksionimin e shoqërisë së vjetër, tradicionale, kolektiviste. Ato që më parë, kanë qenë “tabu” të saj. Shoqëria moderne duke qenë e lirë, e individualizuar së tepërmi, gjithnjë e më shumë po i largohet funksionimit të saj të bazuar në strukturat sociale tradicionale. Gjithnjë e më tepër ajo po u largohet “perceptimeve të vjetra sociale” të kolektivizmit, humanizmit, solidaritetit, ndikimit të fuqishëm determinues të familjes, kolektivit, komunitetit. Modelit të shoqërisë “holiste” po ia zë vendin “shoqëria e konsumit të individualizuar”, në të cilën njeriu del “i vetëm”, përballë sfidave të konkurrencës, mirëqenies, shanseve propabile dhe risqeve për të humbur apo fituar në jetë. Në plan të parë kanë dalë motive të tjera, në të cilat individi duhet të luftojë së tepërmi vetë për t’i realizuar me sukses, duke pasur përballë, “konkurrentë”, “kundërshtarë”, “ziliqarë”, “ambiciozë” etj..

Në këto rrethana duket një rënie e “motiveve jomaterialiste” të jetës, një dalje e bujshme që ka sjellë në krye të “motivimit të individit” fitimin personal, karrierën, paranë. Ky imperativ konsumistik, ky lajtmotiv obsedues hipermaterialist i ri i shoqërisë, tashmë është bërë sundues dhe njëherësh edhe shqetësues për të ardhmen e shoqërisë shqiptare, e cila sa më shumë vazhdon të pandalur procesin e konsumizmit superindividualist, aq më pak solidare, sociale dhe humane shfaqet. Kjo prirje individualizuese ndeshet çdo ditë kudo në të gjithë ambientet e jetës së shoqërisë shqiptare. Tashmë nuk ka më asnjë dyshim: ne jemi tipikisht “shoqëri moderne” në të cilën çdo njeri individualisht ka si prioritar motivin e fitimit, parasë, dhe kënaqësisë seksuale. Këto janë kthyer në “lajtmotiv evident”. Gjithnjë e më pak flitet për motive shpirtërore, morale, kulturore, fetare, të cilat si “imperativa jomaterialiste” të jetës, janë të domosdoshme sepse i japin jetës së individit deformim materialist e konsumist, por kuptim dhe “lëng jetësor”. Këto “vlera jomaterialiste” në shoqërinë shqiptare janë duke u agravuar me ritme të shpejta duke u ridimensionuar në rrugën që dikton shfaqjen e prirjes së fortë për t’i nihiluar, neglizhuar ato. Ose, ato konsiderohen si “motive të vjetra”, arkaike, që nuk i përshtaten “kohës së re”, njeriut modern hedonist e konsumist. Lufta individuale për fitim me çdo kusht, për fitim material si kusht mbijetese dhe konsumi është shndërruar në “epidemi sociale”.

Shoqëria moderne e ka kthyer konsumin e sendeve dhe vlerave materiale në “esencë të jetës”. Jeta e njeriut për fat të keq fillon dhe mbyllet me motivet e parasë, fitimit, konsumit dhe qejfit. Në një farë kuptimi, mania e shtimit të vlerave të konsumit, që gjithnjë e më shumë kalojnë nëpër duart e njeriut, e ka kthyer atë në “rob”, të dhënë tërësisht pas sendeve, të cilat ai i do për ditë e më shumë, më të bukura, më të larmishme. Sociologët kanë ngritur alarmin e një procesi të “skllavërimit të njeriut nga sendet e konsumit”. Konsumizmi pa fre, i pandalshëm, i shfrenuar, ka gllabëruar tërë qenien njerëzore nga mëngjesi deri në mbrëmje. Mania obsedive e posedimit të sa më shumë sendeve nuk është qëndrim që lidhet vetëm me motivet materialiste dhe të plotësimit të nevojave të domosdoshme të njeriut për konsum. Madhësia e sendeve që njeriu konsumon, sasia e parave dhe mjeteve që përdor që nga makina, celulari, “të dashurat enumerative”, janë përveç të tjerave, tregues të “superioritetit personal”, qëllim në vetvete, objekt mburrjeje, “krenarie personale”, tregues i statusit, vendit që zë njeriu në shoqërinë e stratifikuar, vetëm nga motive të pozitës materiale të njeriut në shoqëri, pavarësisht nga vlerat e tij si njeri, si qytetar.

Shumë individë që janë të dhënë marrëzisht pas parasë, fitimit, konsumit, seksit dhe përgjithësisht vlerave materiale janë të rrezikuar për të qenë të njëanshëm, të zhveshur nga kërkesat dhe vlerat spirituale. Të cilat janë kërkesa esenciale për jetën e njeriut, tipar dallues kryesor, ndoshta i vetëm që e dallon atë nga bota e kafshëve. Njerëzit e dhënë marrëzisht pas jetës materiale, fitimit, parasë, seksit kanë probleme të mëdha me personalitetin e tyre. Kjo mani materialiste e përvetësimit pa limit të gjërave materiale, sjell deformacione në personalitetin e tyre, izolim social nga kultura dhe zhvillimi shpirtëror, shmangie të detyruar nga “rolet sociale” që ata duhet të luajnë, jo vetëm në fushën e biznesit dhe fitimit, por sidomos ndaj detyrimeve që kanë, në rolet shoqërore sipas pozicionit dhe detyrimeve sociale. Kjo do të thotë se shpesh herë njerëzit e dhënë marramendshëm pas parasë, qejfit material banal, ekzibicionit dhe mburrjes pasurore në publik, karshillëkut material si shenjë e dukshme e “superioritetit social”, harrojnë detyrat, rolet dhe përgjegjësitë e tjera të tyre si prind, bashkëshort, mik, familjar. Epërsia materiale e kthyer në obsedim, në qëllim të vetëm të jetës, i ka larguar një pjesë shumë të madhe të njerëzve në shoqërinë tonë nga “jeta e natyrshme” familjare dhe detyrimet si bashkëshort, baba, nënë, motër, vëlla, mik, shok, fqinj, bashkëqytetar, bashkëfshatar.

Një pjesë prej tyre duke e konsumuar jetën pas “parasë dhe sendeve”, pas luksit automobilit, ushqimit, qejfit, kanë hequr dorë nga obligimet e tyre të tjera, nga institucionet dhe veprimtaritë që të pasurojnë shpirtin, që të bëjnë më human, më të lidhur me institucione të tilla të rëndësishme dhe të pazëvendësueshme si shkolla, kisha, xhamia, biblioteka, libraria, leximi, komunikimi miqësor interpersonal, të cilat ndikojnë në pasurimin e jetës së njeriut me vlera shpirtërore. Shoqëria e sotme është futur në rrjedhën e “konsumit për hir të konsumit”. Sipas sociologut Erik Fromm, shoqëria moderne e nisur nga principi i shoqërisë konsumuese ngjan “sikur ka venë buzët në një biberon gjigant i cili siguron çdo gjë të nevojshme”. Sociologët me gjithë skepticizmin e fortë që kanë për pamundësinë e shoqërisë për të ndalur “agresionin materialist obsedues” të njeriut të sotëm, nuk gjejnë rrugë të tjera për të ndalur këtë “çmenduri sociale”, që po e bën jetën me pak kuptim social, si mënyrë që njeriu të dalë nga “kufijtë e orientimit materialist”, të ngrihet deri në nivelin ku vlerat shpirtërore të kenë “kuptim të lartë”. Konsumizmi po dëmton njeriun të ndjejë, të ketë dashuri, solidaritet, dhembshuri, ndjenjë komunitare, pse jo edhe pasione të tjera të “kundërta”, sepse me gjithë plotësimin maksimal të kërkesave të jetës biologjike, hedonistike dhe seksuale, kurrë nuk mund të jetë qenie individualisht i plotësuar dhe shoqërisht i kënaqur.

Në këtë kontekst, njeriu është qenie e vetëdijshme, që është në gjendje të “vendosë kufirin” e vetes për gjithçka, qoftë edhe për konsumin material. Epidemia konsumistike në shoqërinë shqiptare po tenton të bëhet “skemë e përgjithshme” sociale, që ka tendencë të përfshijë të gjithë njerëzit. Po krijohen skema konsumistike subjektiviste, që tentojnë të bëhen normë sociale, duke e bërë darën e “imperializmit konsumistik” mjet dhune që deformon shoqërinë, instrument iluziv për një masë njerëzisht, që kuptimin e jetës duan ta reduktojnë tek vlera e mallrave që përdorojnë dhe konsumojnë. Njeriu modern nuk duhet të tërhiqet “prej hunde” nga moda, por qenie që mund të evidentojë ca qëllime dhe motive më të shëndosha që njeriun nuk e reduktojnë në një qenie, që verbërisht konsumon dhe kënaqet biologjikisht. Që të mbrohemi nga epidemia e konsumizmit ka vetëm një rrugë të mundshme, e cila është çështje e lidhur me vetë njeriun, i cili ka një “qendër të brendshme” që komandon “veten”, që programon konsumin, realizon dëshirat, qejfet e shëndosha, që janë të natyrshme, të domosdoshme për çdo njeri. Është tjetër të jesh në shoqëri qytetar dhe tjetër të jesh një konsumator i mbuluar nga instinktet e pakontrolluara të konsumizmit.

Prirja e thellë e materializimit të jetës, tendenca obsesive pas konsumizmit janë situata që sjellin rreziqe, dëmtojnë strukturën sociale të shoqërisë, duke sjellë vanitet, humbjen e interesave të njeriut për gjëra që në jetë janë më të rëndësishme se konsumi si qëllim në vetvete. Duhet ta kuptojmë të vërtetën e pasojave që vijnë prej manisë së konsumit artificial, dëmet e tij. Sidomos kur ai bëhet qëllim në vetvete. Sepse shoqëria shqiptare ka kohë që ndodhet përballë, me shumë rrezik që të “dorëzohet” përballë këtij “agresioni materialist”, si faktor material, psikologjik e social që po deformon natyrën humane të njeriut. Sipas mendimit tim, konsumizmi i kthyer si qëllim në vetvete, është padyshim interpretimi më i gabuar i modernitetit.