Wed, Jul 9, 2025

Zaptimi i hapësirave publike, Rama: Toka të xanuna në kurriz të komunitetit

  • PublishedJuly 9, 2025

Zaptimi i hapësirave publike, Rama: Toka të xanuna në kurriz të komunitetit

Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish pas aksionit të nisur në të gjithë vendin kundër zaptimit të hapësirave publike, duke paralajmëruar reforma të reja ligjore që do të adresojnë në mënyrë rrënjësore këtë problematikë.

Në një njoftim për media dhe rrjetet sociale, Rama thekson se çështja e “tokave të zaptuara në dëm të komunitetit” do të trajtohet përmes një reforme të re ligjore për kontrollin dhe zhvillimin e territorit.

Kreu i qeverisë njoftoi gjithashtu se gjatë mandatit të katërt do të nisë një seri reformash në sektorë të tjerë kyç, përfshirë shërbimin e ujit të pijshëm, sistemin e menaxhimit të mbetjeve, furnizimin me naftë dhe barna, si edhe përmirësimin e shërbimit spitalor.

“Do të jenë piketat e hyrjes në rrugën drejt Shqipërisë 2030 në Bashkimin Europian,” shkruan Rama, duke nënvizuar angazhimin për zhvillim dhe integrim europian.

Rama: Toleranca ndaj tokave të xanuna në kurriz të komunitetit apo lejeve me shkelje në kurriz të qytetit, që janë pranuar nga qeverisja vendore si bashkëudhëtare të jetës urbane, ndërkohë që inspektoriatet e mbrojtjes së territorit dhe policitë bashkiake janë bërë në të shumtën e rasteve pjesë e problemit, do të adresohet rrënjësisht me një reformë të re ligjore të kontrollit e të zhvillimit të territorit, për të cilën kemi nisur nga puna paralelisht me disa reforma të reja të shërbimit me ujë të pishëm, të sistemit të pastrimit e të përpunimit të mbetjeve, të furnizimit të popullit me naftë e me barna, si edhe të shërbimit spitalor, që do të jenë piketat e hyrjes në rrugën e mandatit tonë të katërt për Shqipërinë 2030 në Bashkimin Europian