Thu, Jul 10, 2025

Netanyahu nga Pentagoni: Sulmi ndaj Iranit ishte “ulërima e dy luanëve”, mesazh i qartë për gjithë botën

  • PublishedJuly 9, 2025

Netanyahu nga Pentagoni: Sulmi ndaj Iranit ishte “ulërima e dy luanëve”, mesazh i qartë për gjithë botën

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu, gjatë një vizite në Pentagon, e cilësoi operacionin ushtarak të përbashkët SHBA-Izrael ndaj objektivave iraniane si një “demonstrim force”, që – sipas tij – “u dëgjua si ulërima e dy luanëve” në mbarë botën.

“Besoj se Irani e kuptoi. E kuptoi gjithë Lindja e Mesme”, deklaroi Netanyahu pas takimit me Sekretarin amerikan të Mbrojtjes, Pete Hegseth, dhe krerët e lartë të ushtrisë amerikane. Në fokus të bisedimeve ishte bashkëpunimi ushtarak, kërcënimi bërthamor iranian dhe ndikimi strategjik i operacionit të fundit.

Në takim u përmend edhe angazhimi i avionëve bombardues amerikanë B-2 në sulmet ndaj infrastrukturës bërthamore iraniane. “Pilotët e B-2 dërguan një mesazh për botën,” tha Hegseth, duke lënë të kuptohet se operacioni ishte i kalibrit të lartë dhe me qëllim të qartë ndëshkues.

Netanyahu e theksoi sërish doktrinën e tij të sigurisë: “Fillimisht vjen fuqia, pastaj paqja.” Ai e cilësoi ofensivën një moment historik për rajonin dhe paralajmëroi se çdo kërcënim ndaj Izraelit do të marrë përgjigje të menjëhershme dhe të ashpër.