“Kam trashëguar 65 hektarë tokë, por nuk po i gëzoj dot” – Denoncimi i zonjës nga Libohova në “Tak Fak”: Fshati më ka zaptuar pronën, ndërtime pa leje e premtime bosh
Emisioni “Tak Fak” i News24 ka sjellë në vëmendje rastin e Liliberta Myrtollarit, një grua nga Libohova.
Ajodenoncon publikisht se nuk po arrin të gëzojë 65 hektarë tokë të trashëguar ligjërisht, për shkak të ndërtimeve pa leje dhe neglizhencës institucionale.
Gazetarja e Tak Fak ka shkuar në Libohovë, ku flet nga afër me zonjën Lili për problemin.
Liliberta Myrtollari, denoncuese: Këtu në pronën e nënës janë bërë ndërtime pa leje. Më 2004 kam ardhur në terren, kam shkuar dhe e kam hipotekuar tokën. Nga viti 2006 deri më 2013 nuk kam pasur probleme. Erdhi policia më 2014, bëri matjet dhe në këtë vit kaloi vendimi në Prokurori, që bashkia Libohovë të prishë për 5 ditë ndërtimet pa leje. Prita gjatë dhe Bashkia Libohovë nuk po më prishte ndërtimet pa leje. Shkova në Sarandë, bëra kërkesën me çdo gjë të rregullt dhe INUK i Sarandës ka ardhur me zor të madh që të zbatohej vendimi i Bashkisë Libohovë.
INUK i Tiranës vendosi që ndërtimet pa leje të prishen. Jemi në terren dhe ndërtimet pa leje në tokën time s’janë prishur. Kjo është toka e nënës sime, nuk është e tyrja. Prona ka qenë kullotë, e gjyshit dhe gjyshes time. Hipoteka më njeh 65 hektarë. Ndërtimet pa leje këtu nuk janë të legalizuara. Në pronën time është edhe një depo uji. Fitova gjyq për dëmshpërblim dhe nuk mora asnjë lekë, se di ku kanë shkuar ata lekë.
Gazetarja dhe zonja Lili ngjiten lart për tek depo e ujit, që sipas zonjës Lili, ndodhet në pronën e saj.
Administratori i njësisë Qendër Libohovë flet për rastin.
Gazmend Çulla: Depo e ujit është ndërtuar në vitin 2006. Depot e ujit dhe ujësjellësit i ka Drejtoria Rajonale e Ujësjellësit në Gjirokastër.
Zonja Lili: Më thanë se do dëmshpërblehem për depon e ujit. Nuk jam dëmshpërblyer.
Gazetarja: A ka marrë njeri dëmshpërblim për këtë depo uji?
Gazmend Çulla: Nga ana jonë, jo. Kur u ndërtua u fol me ish-komunën Qendër. Drejtorisë së mëparshme që ka qenë ndërmarrje fshatrash a i jeni drejtuar?
Zonja Lili: Po. Ja ku i kam dokumentet. Asgjë nuk më kanë thënë.
Gazetarja: I bie që vendimin e gjykatës ta çosh te Drejtoria e re në Gjirokastër.
Zonja Lili: Ju më keni shtrirë tubat mua. Hiqeni depon e ujit, hiqni ujin dhe unë të rri në punë time.
Gazetarja: Ti pretendon se procesi gjyqësor është mbyllur nga Prokuroria?
Zonja Lili: Prokurori i Gjirokastrës Juljan Çafka dhe një prokurore e re tani e pushojnë çështjen. E pushojnë sikur janë prishur të gjitha. Këtu s’është prishur asgjë. Më kanë kërcënuar e nuk kam kërcënuar njeri.
Emisioni “Tak Fak” shkon në Bashkinë e Libohovës.
Zonja Lili: Shkurt, unë mbaj dokumentet dhe fshati zapton tokën. Ju si kryetar bashkie s’i lejoni të ndërtojnë pa leje, se sot nuk ndërton dot një mur pa leje. Unë e kam ndarë mendjen, jam mbesa e Abaz Belerit. S’pyetët për nënën time, për 14 vite që nuk i janë tretur kockat.