Dilema e vetme e Vllaznisë/ Gurishta si qendërmbrojtës
Trajneri Edi Martini duket se e ka “kristalizuar” formacionin që do hedhë në fushë për ndeshjen e parë zyrtare të Vllaznisë. Kështu, 50-vjeçari ka vënë “pikat mbi i” për sa i përket 11-shes që do zbresë në fushë ndaj Daugavpils. Një dilemë e vetme për formacionin kuqeblu ekziston vetëm për pozicionin që do mbulojë Erdenis Gurishta në fushën e lojës.
Kështu, zëvendëskapiteni i Vllaznisë dihet që është një mbrojtës i krahut të djathtë dhe aty është aktivizuar në pjesën dërrmuese të karrierës së tij. Madje, duke qenë një ndër më të mirët e Superiores në atë rol, por me ardhjen e Martinit, 30-vjeçari është propozuar disa herë si mbrojtës qendre, në vendosjen me 3 të tillë. Dhe nëse Gurishta do të aktivizohet në treshen e prapavijës, futbollisti që rrezikon të përfundojë në stol është Melos Bajrami.
Me Gurishtën që së bashku me Jazxhi dhe Kuros do formonin repartin e mbrojtjes me 3 futbollistë të vendosur. E në rast se Gurishta do të aktivizohet si mbrojtës, në krahun e djathtë do të “hapet” vendi për Arsid Krujën. Një futbollist, i cili po ashtu në sezonet e fundit në Superiore ka spikatur në atë rol. Dhe në skemën 3-5-2 që aplikon Martini, Kruja shihet si një lojtar ideal për të qenë titullar në krahun e djathtë të mesfushës.