Prokuroria sekuestron pasuritë e Paris Prengës, i dënuar për vrasje dhe pjesëmarrje në grup kriminal
Prokuroria e Tiranës ka sekuestruar pasuri me vlerë të konsiderueshme që i përkasin Paris Prengës dhe disa anëtarëve të familjes së tij, në kuadër të një hetimi pasuror që lidhet me aktivitetin kriminal të tij ndër vite.
Prenga, i dënuar më parë me 19 vite burg për atentatin e mbetur në tentativë ndaj Artion Bylykut (kunat i Domart Konjarit), rezulton të ketë një nivel të pajustifikuar ekonomik, ndërsa dyshohet se pasuritë e tij janë përfituar nga veprimtari të paligjshme.
Sipas njoftimit zyrtar, pasuritë e sekuestruara përfshijnë:
• Një apartament me sipërfaqe 97.7 m² (ZK 8130);
• Një garazh me sipërfaqe 18.95 m² (ZK 8130);
• Një njësi tregtare me sipërfaqe 256.1 m² (ZK 8370);
• Një pikë servisi makinash, që operonte nën emrin “Auto Art Service”.
Hetimet janë zhvilluar mbi bazën e materialeve të referuara nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, ndërsa masa e sekuestrimit është miratuar nga Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë.
Paris Prenga njihet për përfshirjen në ngjarje të rënda kriminale dhe ka qenë i dënuar për veprat penale:
• “Vrasja me paramendim” e mbetur në tentativë,
• “Mbajtja pa leje e armëve dhe municioneve”,
• “Pjesëmarrja në grup të strukturuar kriminal”.
Kujtojmë se viktima e tentuar, Artion Bylyku, është i afërm i Domart Konjarit, një emër i lidhur me konfliktin e njohur kriminal me grupin e Devi Kasmit, i cili u vra në janar të vitit 2018.