Sat, Jul 12, 2025

“Institucionet të veprojnë me vendosmëri”, ministri Manja për ndërtimet në Theth: Refuzimi i prokurores për të hetuar është skandal, të merren masa urgjente nga ILD dhe KLD

  • PublishedJuly 11, 2025

“Institucionet të veprojnë me vendosmëri”, ministri Manja për ndërtimet në Theth: Refuzimi i prokurores për të hetuar është skandal, të merren masa urgjente nga ILD dhe KLD

Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, ka reaguar me tone të ashpra ndaj Prokurorisë së Shkodrës, duke e cilësuar një goditje serioze ndaj shtetit të së drejtës refuzimin për të hetuar ndërtimet pa leje në zonën e mbrojtur të Thethit.

Sipas ministrit, prokurorja Elsa Gjeli ka treguar një qëndrim të pajustifikueshëm përballë një fenomeni që dëmton rëndë rendin ligjor, duke mosvepruar.

Ministri i bëri thirrje Inspektorit të Lartë të Drejtësisë dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë të marrin masa urgjente për të garantuar integritetin e sistemit të drejtësisë, duke kërkuar hetim të plotë për rastin dhe për mosveprimet e konstatuara nga ana e prokurores.

Manja: Ka të bëjë me ndërtimin pa leje, ka patur dhe raste të tjera por nuk kanë qenë kaq sensitive. Shqipëria 2030 nuk ndërtohet duke toleruar paligjshmërinë. Me justifikime teknike me artifica ligjore për t’iu shmangur detyrave që përcakton kushtetuta dhe ligji. Drejtësia që kemi premtuar ndërtohet jo vetëm me institucione të pavarura.

Nuk jemi kundër që prokuroria e Shkodrës dhe çdo prokurori ta ngrejë zërin kur cenohet pavarësia e ushtrimit të funksionit të prokurorit. Por ka dhe detyrime që të thellohet kur ka një çështje me ndjeshmëri publike për të parë nëse është zbatuar ligji dhe kushtetuta. Prokuroria si institucion përveçse ushtron funksionet duhet të japë llogari para qytetarëve të Shkodrës për mbrojtjen e territorit. 83 mandatet që shqiptarët na dhanë janë më shumë se një votëbesim. Janë një barrë për të reaguar shpejt ,qartë me vendosmëri për çdo gjë që nuk shkon dhe me ndonjë devijim në institucionet tona. Nuk na heq të drejtën që të njëjtën llogari dhënie ta kërkojmë edhe nga sistemi i drejtësisë, drejtësia europiane nuk mund të jetë drejtësi selektive, nuk mund të jetë në heshtje përballë minimit të natyrës.

I bëj thirrje KLP të veprojnë pa vonesë, ta hetojnë rastin në përputhje me përgjegjësitë që u ngarkon ligji. Më shumë se një rast i mosfillimit të hetimit, organet kanë përgjegjësi të garantojnë integritetit te drejtësia. Raste si ky minojnë reformën në drejtësi, besimin e publikut. Është cenim i shtetit të së drejtës. Unë nuk e di si do jetë përfundimi i hetimit, por kam besim te institucionet e reja të drejtësisë, do e hetojnë deri në fund, i cili krijon precedent të rrezikshëm dhe i hap rrugë gjendjes së paligjshmërisë në territorit.