“Jam shtetas britanik, në ndërtesë ndodhet pasaporta e valixhja ime”- Shembja e objekteve në Theth, turisti përplaset me efektivët! Polici: T’i kishte marrë
Në fshatin turistik të Thethit vijon prej 6 ditësh aksioni i IKMT-së për prishjen e ndërtimeve pa leje.
Ditën e sotme në Theth kanë shkuar ish-deputeti i PD-së, Luçiano Boçi dhe ish-kryebashkiaku i Shkodrës, Bardh Spahia.
Teksa filmohej aksioni i IKMT-së që kundështrohej nga banorët dhe dy demokratët, ka ndërhyrë një turist i cili është përplasur me efektivët.
Ai shprehet se është shtetas britanik dhe se brenda ndërtesës që po shembej ndodhej pasaporta e tij, si edhe valixhja, duke kërkuar që t’i merrte.
Por, turisti britanik, i cili tha se kishte 1 muaj që qëndronte në godinën në Theth, nuk është lejuar nga blutë, pavarësisht edhe kërkesë së dy demokratëve.
“Jam shtetas britanik, aty ndodhen valixhja ime, pasaporta ime, gjithçka e imja është atje. Kam jetuar këtu për 1 muaj, kam rezervuar për 2 muaj”, shprehet turisti.
“Do pasaportën, i ka brenda, edhe valixhet tek ndërtesa”, i thotë ish-kryebashkiaku i Shkodrës efektivëve.
Një nga policët i drejtohet: “T’i kishte marrë me kohë. Ai e ka mendjen të filmojë”.