Rama mbledhje për performancën lokale: Sistemi i ri kombëtar për mbetjet, ujin dhe naftën, pjesë e planit “Shqipëria 2030”
Kryeministri Edi Rama zhvilloi sot një takim për performancën e qeverisjeve vendore, në kuadër të vizionit “Shqipëria 2030” dhe rrugës drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian. Në fokus të diskutimeve ishin disa nga sfidat e qeverisjes vendore, për të cilat Rama paralajmëroi ndërhyrje strukturore përmes krijimit të sistemeve të reja kombëtare.
Në fjalën e tij, Kryeministri theksoi se po punohet për vendosjen e një sistemi të ri në menaxhimin e mbetjeve, shpërndarjen e ujit dhe furnizimin me naftë, ku shteti do të ketë një rol qendror për të garantuar transparencë, investime dhe kontroll mbi tregun.
Ai nënvizoi se, si në çështjen e ujit, ashtu edhe në trajtim të mbetjeve, është koha që menaxhimi të kalojë në një nivel kombëtar, duke ndërtuar partneritete me korporata ndërkombëtare të nivelit më të lartë për të përmirësuar funksionimin e këtyre sektorëve.
Rama u ndal edhe te problematikat në Bashkinë e Tiranës, për të cilat tha se janë ngritur grupe pune me qëllim riformatimin organizativ të shërbimeve, veçanërisht në pastrim, hapësira publike dhe furnizimin me ujë.
Ndërkohë, një tjetër element i reformës së paralajmëruar është krijimi i një sistemi të ri të furnizimit me naftë, ku shteti do të përfshihet si palë aktive në realizimin e kontratave dhe shpërndarjen e karburantit.
Kryeministri shtoi se kjo qasje do të shtrihet edhe te furnizimi me barna, si pjesë e një modeli të ri ku shteti merr rol më të drejtpërdrejtë në garantimin e shërbimeve bazë për qytetarët.
Edi Rama: Kemi lene nje tjetër detyrë për të adresuar disa problematika në Bashkinë e Tiranës që lidhen me administrimin e një qyteti që rritet përditë, pastrimi, hapësirat publike, furnizimi me ujë dhe me radhë të gjitha shërbimet e tjera. Për këtë arsye kemi ngritur grupet e punës për të ndihmuar bashkinë me një reformë të brendshme organizative.
Dua të vë theksin të çështja e shërbimit me ujë, duhet të krijojmë operatorin e shpërndarjes së ujit njësoj si operator i shpërndarjes se energjisë elektrike..na duhet një koorporatë e re që të adresojë problemin e investimeve, e të gjitha marrëdhënieve me donatorë me institucionet financiare në të gjithë Shqipërinë që janë lesh e li dhe të adresojë problemin e fragmentarizmit të burimeve dhe menaxhimit që pas 30 e kusur vitesh është e kot të presim rezultate të dëshiruara. Përmirësimet janë të dukshme por të pamjaftueshme…qoftë për ujin dhe trajtimin e mbetjeve do duhet të kalojmë në nivel kombëtar dhe të krijojmë sinergji me koorporata ndërkombëtare të nivelit më të lartë në një fazë të caktuar.
Kjo do na ndihmojë qoftë te shërbimi i furnizimit me ujë, qoftë investimet dhe patjetër transparencës në të gjitha këto procese ku ka shumë faktorë. Te sistemi i mbetjeve kemi një hartë që sot është shumë më ndryshe nga se ishte, por që duhet të konsolidohet dhe të bëhet një sistem i trajtimit të mbetjeve në nivel kombëtar.
Po punojmë me ministrinë e shëndetësisë për furnizimin e gjithë sistemit publik dhe privat me barna me shtetin si palë. Ka ardhur koha të kalojmë në një rol të ri të shtetit.
Po punojmë intensivisht për një sistem të ri të furnizimit të naftës, domosdoshmëri dhe mundësi për të kaluar edhe te furnizimi i naftës me një komponent të ri të shtetit si protagonist në realizimin e kontratave dhe furnizimin me naftë. Që mendojmë se do të sjellë një kontroll më të madh në çmimin dhe qarkullimin e naftës.