Arsenal “pa frena” në merkato, “topçinjtë” pranë firmës me Gyokeres, sulmuesi “fut në sherr” teknikun Amorim me United
Ditë të nxehta këtë verë në Angli. Nuk po flasim për temperaturat, por për ambjentin futbollistik që zien këto ditë të mesit të Korrikut sa i takon merkatos. Ndryshe nga sa ishim mësuar vitet e fundit, ku lokomotivat e skuadrave angleze sa i takon merkatos ishin përgjithësisht Manchester City, Çelsi apo edhe United, këtë sezon duket se stafetën e ka marrë Arsenal.
Drejtuesi i ri i “topçinjve”, Andrea Berta, i ardhur nga Atletico Madrid, duket se e ka nisur me fishekzjarre merkaton e “topçinjve”, teksa ekipi londinez është ndër më aktivët në merkato.
Arteta po formon një skuadër edhe më të fortë teksa brenda kësaj jave – pasi sot u gjet akordi për transferimin e Mosquera nga Valencia dhe priten vizitat mjekësore – mbyllen edhe afrimet e Gyokeres nga Sporting Lisbona, Madueke nga Çelsi.
Pikërisht ardhja e mundshme e sulmuesit suedez Gyokeresh tek Arsenal, apo edhe sfumimi i pistës që të dërgon tek Osimhen, janë pikat kryesore që kanë nervozuar teknikun portugez të Manchester United, Ruben Amorim.
Sipas mediave britanike, Amorim ka reaguar ashpër ndaj drejtueseve të “Djajëve të kuq”, lidhur me merkaton, aty ku skuadra nga Manchester thuajse po humbet çdo betejë.
Për momentin United ka afruar Matheus Cunha si dhe është pranë mbylljes së marrëveshjes edhe me Bryan Mbuemo, por gjithsesi tekniku Amorim nuk është i kënaqur sa duhet. Nuk është më sekret që dëshira e tij më e madhe ishte ribashkimi me Viktor Gyokeresh, të cilin e stërviti tek kampionët portugezë të Sporting Lisbonës, por duket se mbeti thjesht një dëshirë, pasi Arsenal pritet ta zyrtarizojë shumë shpejt bomberin në Londër.