Mon, Jul 14, 2025

“Modriç Day”, kroati mbërrin në Milano dhe hedh firmën si kuqezi: Na presin sfida të mëdha

  • PublishedJuly 14, 2025

“Modriç Day”, kroati mbërrin në Milano dhe hedh firmën si kuqezi: Na presin sfida të mëdha

Prites së gjatë i vjen fundi. Milani mirëpret zyrtarisht Luka Modric. Pas pjesëmarrjes në Kupën e Botës për Klube dhe një lamtumire të ‘dhimbshme’ nga Real Madridi, kroati ka mbërritur në kryeqendrën lombarde për të nisur aventurën e tij të re në Itali.

Për kuqezinjtë është goditja e dytë në mesfushë pas transferimit të Ricci-t, në pritje të përforcimeve edhe në reparte të tjera, ky synimi i kuqezinjve vijon të jetë Jashari.  Mbërritja e 39-vjeçarit do t’u japë tifozëve mundësinë të harrojnë dështimin për të blerë Archie Brown, shoqëruar edhe me talljet në rrjetet sociale nga Fenerbahce i José Mourinho-s. Ish-lojtari i Tottenhamit dhe Real Madrid do të mbajë fanellën me numrin 14, atë që sezonin e kaluar e kishte veshur Tijjani Reijnders, i transferuar te Manchester City.

Në orën 12:40, Luka Modric mbërriti te “La Madonnina”, një klinikë në zonën Porta Romana në Milano. Përshëndeti të pranishmit dhe hyri për të kryer kontrollet mjekësore. Më pas vijoi kontrollin e përshtatshmërisë në një strukturë tjetër dhe më në fund nënshkrimi në “Casa Milan”.

“Jam shumë i lumtur që jam këtu, më presin sfida të mëdha”, ishin fjalët e para të fantazistit kroat menjëherë sapo doli nga Malpensa.


AlbaniaWeb.net