Martini me tre të dëmtuar, rrezikojnë edhe sfidën e kthimit të Vllaznisë
Te Vllaznia momentalisht përveç rezultatit 0-1 të ndeshjes së parë kundër Daugavpils, duket se shqetësojnë edhe lëndimet e futbollistëve. Në 90 minutat e para kundër letonezëve nuk zbritën në fushë Jazxhi dhe Mala për shkak të shqetësimeve fizike.
Me të parin që nuk ishte as në stol në këtë duel e teksa prizrenasi me “sforco” u aktivizua në minutën e 73-të duke zëvendësuar Salën. U dallua qartazi që ish-futbollisti i Partizanit nuk ishte në formën më të mirë fizike. Pavarësisht se nga cilësitë që mbart, 26-vjeçari arriti të krijonte 2-3 raste me vertikalizimet e tij për shokët e skuadrës.
Përveç kësaj dysheje, ashtu siç ishte paralajmëruar edhe para ndeshjes, ishte edhe Ardit Krymi që shfaqi probleme fizike. Me mesfushorin i cili kërkoi zëvendësimin në minutën e 60-të të takimit, pasi duket se nuk ishte në gjendje për të përballuar deri në fund. Dhe patjetër që trajneri Martini, për të mos rrezikuar asgjë, e zëvendësoi 29-vjeçarin me Mensah më pas.
Një “dhimbje koke” për Martinin dhe stafin e tij, që gjatë kësaj jave, përveç ndeshjes së kthimit, duhet të mendojë edhe për dëmtimet. Janë 3 futbollistë kryesorë të skuadrës që ende nuk janë në 100% të formës së tyre fizike. Pavarësisht se shpresat janë të mëdha që të tre lojtarët të jenë në fushë në datën 17 korrik, kur do të luhet edhe ndeshja e kthimit në Letoni përballë Daugavpils.