Wed, Jul 16, 2025

Egnatia kërkon historinë, toka islandeze u sjell fat kampionëve rrogozhinas

  • PublishedJuly 15, 2025

Egnatia kërkon historinë, toka islandeze u sjell fat kampionëve rrogozhinas

Egnatia nuk do të zbresë për herë të parë në një fushë islandeze. Dy sezone më parë, kampionët e Shqipërisë kishin përballë pikërisht një ekip nga ky vend, Vikingurin, një rival i drejtpërdrejtë i Breidablik në kampionatin nordik.

Në atë përballje, Egnatia zhvilloi një ndeshje shumë të mirë në transfertë, duke fituar me rezultatin 1-0 me gol të Drame dhe duke treguar se di të përballet me sukses në terrene të vështira si ai islandez. Ishte një fitore që asokohe la përshtypje të forta, pasi Vikingur kishte më shumë eksperiencë ndërkombëtare, por u dominua nga organizimi dhe vendosmëria e rrogozhinasve.

Fitorja në tokën islandeze u pa si një sinjal që Egnatia kishte potencial për të konkurruar me dinjitet në Europë, pavarësisht se ishte në fillimet e saj në arenën ndërkombëtare. Megjithatë, ajo aventurë nuk përfundoi me kualifikim, pasi në ndeshjen e kthimit të zhvilluar në “Elbasan Arena”, Egnatia u mund 0-2 dhe u eliminua nga gara.

Por ajo përvojë shërbeu si një mësim i rëndësishëm për të ardhmen dhe konfirmoi se skuadra mund të marrë rezultate pozitive edhe në transfertë. Kjo është një arsye më shumë që Egnatia të udhëtojë sot në Islandë me besim dhe kujtime pozitive nga e shkuara.


AlbaniaWeb.net