Mes afrimeve dhe miqësoreve, Elbasani drejt Greqisë
Tek Elbasani mbizotëron qetësia në këtë fazë të merkatos verore. Prej disa ditësh nuk përfliten më afrime të reja, edhe pse pista për përforcime mbetet ende e hapur. Drejtuesit e klubit kanë ndjekur një strategji të matur, duke ruajtur boshtin e skuadrës nga sezoni i kaluar dhe duke afruar vetëm disa elementë të rinj në pozicionet ku është vlerësuar se ka nevojë për përforcim. Deri tani, janë afruar zyrtarisht tre lojtarë.
Bëhet fjalë për portierin çek Martin Janaçek, një gardian me eksperiencë që pritet të sjellë më shumë siguri në prapavijë. Në mesfushë është afruar Donart Ibraimi, një lojtar me energji dhe karakter luftarak, ndërsa në sulm është shtuar izraeliti Roi Ben Shimon, i cili ka treguar formë të mirë në seancat stërvitore dhe në testet e para. Klubi nuk ka bërë shumë lëvizje, pasi grupi është konsideruar i kompletuar nga stafi teknik.
Gjithsesi, burime pranë drejtuesve nuk përjashtojnë ndonjë lëvizje të minutës së fundit nëse paraqitet ndonjë mundësi konkrete në tregun e lojtarëve të lirë ose në formë huazimi. Deri në mbylljen zyrtare të merkatos, dera mbetet e hapur për ndonjë përforcim shtesë. Përveç afrimeve, një tjetër pikë pozitive është fakti se skuadra ka ruajtur të paprekur shumicën e elementëve kyç nga sezoni i kaluar. Asnjë nga lojtarët më të rëndësishëm nuk është larguar, çka tregon stabilitet dhe vazhdimësi në projektin që po ndërton klubi. Nesër, Elbasani do të luajë një tjetër ndeshje miqësore, kësaj here ndaj Pogradecit, në stadiumin “Elbasan Arena”. Ky do të jetë testi i fundit para nisjes drejt Greqisë të hënën, ku verdheblutë do të zhvillojnë fazën kryesore të përgatitjeve për sezonin e ri. Miqësorja do t’i shërbejë stafit për të vlerësuar më mirë formën e grupit dhe integrimin e lojtarëve të rinj.
TOKA GREKE – Pas javësh stërvitjeje në vend dhe disa testeve miqësore, kjo periudhë jashtë vendit do të jetë vendimtare për ndërtimin e një skuadre të konsoliduar dhe përcaktimin e formacionit ideal. Stafi teknik, i udhëhequr nga trajneri, ka tashmë një ide të qartë për boshtin e ekipit, por kjo fazë do të shërbejë për të vlerësuar më në detaje se kush janë lojtarët që meritojnë të jenë titullarë në nisjen e sezonit. Përveç ngarkesës fizike dhe përmirësimit të kondicionit, theksi do të vihet tek organizimi taktik, harmonizimi i lojtarëve të afruar me grupin ekzistues dhe testimi i disa moduleve të ndryshme loje.
Miqësoret që do të zhvillohen gjatë qëndrimit në Greqi pritet të kenë rol vendimtar në këtë proces. Trajneri do të eksperimentojë me përbërje të ndryshme dhe do të monitorojë nga afër konkurrencën në çdo repart, me synimin për të ndërtuar një njëmbëdhjetëshe sa më të qëndrueshme dhe të efektshme. Faza greke do të jetë gjithashtu një mundësi për lojtarët që kërkojnë më shumë hapësira për të bindur stafin teknik. Ata që janë pjesë e grupit, por nuk e kanë të sigurt vendin në formacion, do të kenë shansin të provojnë veten në kushtet e një përgatitjeje intensive dhe ndaj kundërshtarëve të huaj.