Kaos pas koncertit të Beyoncé në Atlanta: Një insekt, një britmë dhe 11 të plagosur në stacionin e metrosë
Ajo që duhej të ishte një mbrëmje magjike për fansat e Beyoncé në Atlanta, përfundoi në skena kaosi dhe paniku. Pas përfundimit të koncertit të saj në stadiumin Mercedes-Benz më 15 korrik, një rrëmujë shpërtheu në stacionin e metrosë Vine City, duke lënë të plagosur të paktën 11 persona.
Shkak për gjithë situatën? Një britmë nga një vajzë 10-vjeçare që, sipas mediave, ishte trembur nga një insekt. Në sekonda, turma nisi të vraponte në panik drejt shkallëve lëvizëse, të cilat, për fat të keq, përshpejtuan dhe ndaluan menjëherë, duke shkaktuar përplasje të shumta.
Pamjet që qarkullojnë në rrjet tregojnë trupa të rrëzuar, një këmbë të gjakosur dhe njerëz që ndihmonin njëri-tjetrin në një skenë që ngjante më shumë me një film katastrofë sesa me një mbrëmje koncerti.