Sun, Jul 20, 2025

Ndërtoi pa leje “beach bar” në Radhimë dhe zuri hapësirë publike – shpallet në kërkim 45-vjeçari, procedohet edhe djali i tij 17-vjeç

  • PublishedJuly 20, 2025

Ndërtoi pa leje “beach bar” në Radhimë dhe zuri hapësirë publike – shpallet në kërkim 45-vjeçari, procedohet edhe djali i tij 17-vjeç

Një 45-vjeçar është shpallur në kërkim nga Policia e Vlorës, pasi u kap në shkelje flagrante duke ndërtuar pa leje një objekt të tipit “beach bar” dhe duke zënë hapësirë publike në plazhin e Radhimës. Sipas autoriteteve, ai kishte vendosur në mënyrë të paligjshme 90 çadra dhe shezlongë, pa asnjë autorizim nga institucionet përgjegjëse.

Policia njofton se:

• Është shpallur në kërkim shtetasi Sh. N., 45 vjeç, banues në Tiranë;

• Është proceduar penalisht në gjendje të lirë djali i tij 17-vjeçar, për shkak të përfshirjes në aktivitetin e paligjshëm.

Kontrollet janë zhvilluar më 19 korrik në bashkëpunim me Agjencinë Kombëtare të Bregdetit dhe Policinë Bashkiake, si pjesë e operacionit për lirimin e hapësirave publike të zëna në mënyrë abuzive.

Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar 90 çadra dhe shezlongë, ndërsa hetimet vijojnë për të identifikuar përgjegjës të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet informal.

Policia konfirmon se kontrollet do të vijojnë në gjithë territorin bregdetar të Vlorës, me qëllim garantimin e aksesit të lirë në plazh për pushuesit dhe mbrojtjen e interesit publik.