Tue, Jul 22, 2025

“Ambasada pengoi djalin e Musolinit…”- Ftesa për Adriano Çelentanon! Mimo Xhanfreda rrëfen bisedën me artistin italian më ‘97-ën

  • PublishedJuly 21, 2025

“Ambasada pengoi djalin e Musolinit…”- Ftesa për Adriano Çelentanon! Mimo Xhanfreda rrëfen bisedën me artistin italian më ‘97-ën

UVIL ZAJMI/ imtarive artistike në Tiranë, atyre pas viteve ‘93 e në vijim, Mimo Xhanfreda, kujton takimin me Ana Oksën, përpjekjet për të sjellë në skenat muzikore shqiptare këngëtarin Litëll Toni, mbi të gjithë Adriano Çelentanon, deri te djali i Benito Musolinit.

Kur më parë kishte mundësuar ardhjen në Shqipëri të Toto Kutunjos, Tulio de Piskopo, Daroi Baldam Bembon, Riki e Poverit, Nikola Di Barit, Zukeros etj.. Ideja për të bërë një “Domenica In” në kryeqytet dhe pse dështoi.

Z. Mimo, dhjetor 1996, Ana Oksa vjen në Tiranë, sa njohje kishit për të?

Njihej si një këngëtare shumë e mirë, profesioniste, me një shpërthim, protagoniste në Itali, festivalet e “Sanremos”, kur më 1978, 17 vjeçe me “Un’ emocione da poco”, një interpretim që i befasoi të gjithë. Me këngën “Ti lacsero”, në duet me Fausto Lealin, do të shpallen fitues të “Sanremos” më 1989.

Lidhur me origjinën e saj, cili ishte informacion juaj?

E lindur në Itali, me nënë italiane, ndërsa të atin nga Shqipëria, i ardhur si emigrant dhe që kishte jetuar prej vitesh në Bari, Pulia. Aty nga jam edhe unë. Për herë të parë Anën e kam takuar në Tiranë, në dhjetor të 1996, me kureshtjen, si shqiptare, për të kënduar në festival.

Në Tiranë, ku gjen mikpritje, që hap perspektiva…

U kënaq, e vlerësoi praninë e saj në një shfaqje të tillë kombëtare duke kënduar në festivalin tradicional të këngës, muzikës, i ngjashëm me “Sanremon”. Ndonëse qëndroi pak orë, u takuam, ku edhe u informua për angazhimin tim, ardhjen e Kutunjos dhe të këngëtarëve të tjerë italianë në Tiranë, duke më kërkuar bashkëpunim.

Një rikthim i shpejtë i saj, por jo për koncert

Në shkurt të 1997, në formë private u kthye sërish, por jo për të kënduar. Morëm një makinë te parku i delegacioneve, shkuam te varrezat në Tufinë, vendosi lule te të afërmit e të atit, Shabanit, xhaxhait që nuk jetonte. Më pas te shtëpia e Sabahut, që banonte afër Shkollës së Kuqe. Ai bëri një darkë, ku ishim të gjithë, shtatë fëmijët e Sabahut. Unë me kitarë, ajo këndoni disa këngë.

Lidhur me projektet, çfarë biseduat?

Folëm për projekte, përfshirë koncerte, angazhimin aktiv të saj, për të qenë prezente në jetën artistike këtu. Si shqiptare donte të jepte kontribut, të ishte e pranishme në Shqipëri, pasi edhe u entuziazmua nga pritja, atmosfera që gjeti gjatë qëndrimit herën e parë, kur erdhi për festivalin. Pati rastin të njihej me një kosovar, menaxher, Gani quhej. Ai e ftoi për një vizitë në Prishtinë, të cilën Ana e pranoi me kënaqësi. Shkoi, dhe kam mendimin se në ato vizita atje u njoh edhe me Bexhet Pacollin.

Mimo është një moment që flitet për një “E diela italiane” në Tiranë?

Sapo kisha ardhur, fillimi i 1993-shit, u bisedua të organizohej në Tiranë një puntatë e “Domenica In”, një emision i “Rai 1”, tejet i ndjekur dhe që e drejtonte Pipo Baudo, Mara Venier e Xhixhi Sabani. Madje u fol edhe për këngëtarët si Lucio Dalla, Ana Oksa me to edhe Xho Koker si të ftuar. Ishte thjesht një ide, projekt për në fund të 1993- shit, por nuk u realizua, kujtoj për mungesë fondesh.

Adriano Celentano

Ka një ftesë për Adrianon Çelentanon

Pas ardhjes së Toto Kutunjos në Tiranë, në nëntorin e 1995-ës, më informuan se Artan Santo, që fatkeqësisht nuk jeton, asokohe drejtonte Bankën e Kursimeve, ofronte 100 milionë lireta të sillja Adriano Çelentanon në Tiranë. Ishte një dëshirë jo vetëm e tij, por edhe e Vera Grabockës, për të qenë i pranishëm në Festivalin e Këngës në Radio Televizion, atë të vitit 1997. U angazhova, komunikova fillimisht me Kutunjon, një ndër miqtë e ngushtë e të afërt, kompozitor i disa këngëve të tij. Me ftuan të shkoja të bisedonim. U nisa, u takuam te vila në Colona Monceze në Milano, unë Toto, Adriano dhe Klaudia Mori, gruaja tij. Toto i foli edhe për suksesin e “Çmimit Volare”.

Si vijoi, çfarë biseduat me Çelentanon?

Adriano u kënaq me ftesën, aq më shumë kur i treguam se së bashku me Toton, ishte menduar që ata dy të prezantonin festivalin e këngës në Radio Televizion, një ide e Vera Grabockës, si regjisore dhe me shumë fantazi. Kurioz, pak dinte për Shqipërinë, për më tepër, siç thoshte shpesh gjatë bisedës, se nga prindërit ishte me origjinë puljeze. Pra, shumë afër Shqipërisë. Vetëm një herë kishte kaluar tërthorazi, por vetëm në aeroport, transit, pa ardhur në Tiranë.

Sa informacion kishte Adriano, për njohjen e tij në Shqipëri?

Edhe pse e mbyllur, Shqipëria në vite, pa mundësi komunikimi me Italinë, por nga radioja, televizioni, u befasua kur i treguam se këngët, fama e tij ishin të njohura dhe për shqiptarët ai ishte një idhull. Këtë ia konfirmoi edhe Toto, i cili e kishte parë vetë kur erdhi në Tiranë. Madje, duke folur për këngën “Storia d’amore”, një ndër më të bukura të tij, u shpreh i gatshëm që do ta këndonte nëse do të vinte. Por, pasi u mendua, diskutuam gjatë, ai refuzoi duke treguar arsyet, ndonëse gjithçka e lamë të hapur.

Cili ishte motivi?

U ktheva në Tiranë, “Vera – i them – Çelentano nuk vjen”. Ishin udhëtimet me avion, deri edhe trageti që për shkak të klaustrofobisë, ato me mjediset e mbyllura që e pengonin, kondiciononin lëvizjet e tij. Nuk kalonte në tunele. Kishte ndodhur në Rusi, i ftuar nga Xhani Anjeli, kur ai hapi një fabrikë të “Fiati”-t aty. Si doqoftë, ne nuk e gjykuam si të vështirë, të pamundur, nisur nga afërsia gjeografike. Patëm shumë shpresë, por dita-ditës zbehej çdo alternativë. Shqiptarët humbëm një mundësi të mirë për ta pasur Çelentanon në Tiranë.

Tentoni edhe për një këngëtar tjetër shumë të njohur?

E ndjeja që në Tiranë, shumë prej këngëtarëve, sidomos ata të viteve ‘70-‘80, ishin të njohur. Midis tyre Litëll Toni, këngëtari i të famshmes “Cuore Matto”. Aktori Mikele Plaçido, në rolin e komisar Katanit tek “Oktapodi”, i pranishëm në “Mis Albania” dhe që vinte në Tiranë për xhirime në filmin e Amelios “L’Amerika”, pastaj Kotunjo, Ana Oksa, Zukero, Gipsi King, kishin pasur impakt. Dëshira për të sjellë këngëtarë italianë ishte e madhe. Isha i informuar për koncertet e Albanos në Tiranë, si i pari këngëtar italian që kishte mundur të japë një koncert në socializëm.

Dhe si konkluduat me Litëll Tonin?

Artist, këngëtar i mrekullueshëm dhe shumë njerëzor, u tregua i gatshëm dhe pa asnjë kusht, shprehu dëshirën, në një moment të caktuar të vinte. Por, angazhimet, situata e ndërlikuar këtu në atë periudhë, me revoltat e piramidave financiare në fillim të 1997, e frenuan ashtu si edhe mjaft veprimtari artistike, sportive. Ato vite patën pasoja negative në organizimin në vazhdim e të tilla shfaqjeve, ardhjeve të artistëve të njohur në Shqipëri.

Përgatitni një koncert në piano me një personalitet të njohur?

Në Tiranë, në vitin 2005, do vinte Romano Musolini, djali i Benito Musolinit, një muzikant, pianist i njohur në Itali. E pata biseduar, u shpreh i gatshëm për të dhënë një koncert në piano në Teatrin e Operas dhe Baletit. Por, pata reagime, xhelozi. E para nga ambasada italiane që, refuzoi ardhjen e tij, duke e justifikuar se do të vinte Lucio Dalla dhe nuk mund të angazhohej edhe për të. Por edhe nga situata politike në Shqipëri, të vinte djali i Benito Musolinit, sikur nuk do të pëlqehej këtu. Ndonëse vajza e Romanos, Alesandra Musolini ishte deputete e disa partive të djathta. E shtyva ardhjen e tij, duke gjetur justifikime, kur papritur ai ndërroi jetë në janar të 2006.

/Gazeta Panorama