Situata komplekse dhe nevoja për dialog të pakufizuar
NGA GËZIM TUSHI
Janë të shfaqur të gjithë parametrat kompleksë që tregojnë se shoqëria shqiptare është në fazën e një dialogu intensiv me veten dhe problemet e saj. Kjo gjendje filozofikisht dhe sociologjikisht është një gjë e mirë për stabilizimin e ekuilibrave të shoqërisë. Sepse dialogu i hapur dhe pa kufi është pjesë integrale, në mos kuintesenca e thelbit të demokracisë në veprim. Dialogu i hapur, trajtimi i pakufizuar i gjithë temave, problemeve, koncepteve kalimtare që shqetësojnë shoqërinë, janë “antidoti”, që po qe se përdoret me efektivitet human dhe metodologjikisht në mënyrë urbane, kjo jo vetëm është gjë e mirë për forcimin e lirive individuale, por edhe kusht për forcimin e shëndetit dhe komunikimit publik të shoqërisë. Dialogu urban është kërkesë e domosdoshme, sidomos tani, kur në jetën sociale shfaqen me intensitet të veçantë, dukuri kaotike, shoqëruar me prirje e fenomene të panjohura, që po tronditin modelet e njohura të konceptimit dhe komportimit social të njeriut. Shumë dukuri morale nga mënyra dhe intensiteti si janë duke u shfaqur, duke qenë të “reja”, atipike për shoqërinë moderne, realisht, por edhe sociologjikisht janë të vështira për të vlerësuar saktë dhe llogaritur efektet, kundërefektet, destinacionin strategjik të tyre.
Kudo në jetën tonë shfaqen tendenca të reja të qytetërimit, të shoqëruara me ndryshime radikale në mentalitet, në strukturat e sjelljes individuale. Në qytet dhe në fshat, po thellohen shformimet dhe deformime të martesës, strukturës dhe funksionit të familjes, shthurje dhe kaos seksual, ulje drastike e moshës së fillimit të marrëdhënieve seksuale, qëndrime neurotike e konflikte sociale, krim bastard në familje dhe jetën shoqërore, shtim në “përmasa kaliforniane” të numrit të divorceve, shfaqje të theksuara të braktisjes së fëmijëve dhe neglizhencës ndaj të moshuarve, shfaqje të dukurive dhe perversioneve sociale. Dukuri që më parë kanë qenë tabu dhe që gradualisht tentojnë të “legalizohen”, të pranohen dhe të fitojnë të drejtën e qytetarisë. Një situatë që njerëzit janë të shqetësuar, të vënë në mendime ekzistencialisht shqetësuese, ngaqë sikurse duket në opinionin e sotëm privat, social, politik e mediatik, nuk ka më probleme moralisht të shenjtëruara, nuk ka vlera të së kaluarës që nuk janë vënë në diskutim, duke ia nënshtruar herë kritikës së drejtë e objektive e herë optikës subjektiviste, metafizike, nihiliste. Sipas mendimit tim, është vërtetë shumë pozitiv fakti, që sot asgjë pothuaj, nuk mund t’i shpëtojë presionit të shoqërisë moderne për ndryshim, adoptim apo përmirësim.
Kjo, sepse shoqëria është në një fazë delikate, kur gjithçka është përballë krizës së ekzistencës, që do të thotë, se nuk ka më vlera apriori të shenjta, apo të paprekshme. Në kohën e sotme, çdo gjë duhet të justifikojë ekzistencën, të reformohet nëse është e papërshtatshme me kohën, ose në të kundërt, nëse bëhet pengesë dhe nuk i reziston imperativave të modernitetit, duhet të zëvendësohet me vlera të reja. Ka tre dekada që shoqëria shqiptare është përballë një “revolucioni dialogues”, në kërkim të një sistemi të vërtetë vlerash, për të cilat kemi nevojë si kusht për të zëvendësuar paradigmat e vjetra, që nuk i qëndrojnë më kohës. Natyrisht, në periudha të tilla të ndryshimit të vlerave, parimeve, tabuve morale të së kaluarës, brenda hapësirës së dialogut të pakufizuar, do të ketë keqkuptime, eksese, deformime, shformime, kuptime e keqkuptime të natyrshme, të cilat duhet të jenë objekt i dialogut social të ekuilibruar në jetën e përbashkët të shoqërisë.
Natyrisht, nuk është i lehtë një dialog, që të jetë njëherësh i pakufizuar dhe i ekuilibruar. Sepse bota sociale dhe morale e shoqërisë, është tronditur nga ndryshimet eruptive, përmbysja e sistemit të vjetër të vlerave dhe realisht po përjeton një situatë nga më të vështirat në historinë e këtij vendi. Kjo është arsyeja pse kërkesa për “dialog të pakufizuar” është bërë dukuri sociale e vështirë për t’u realizuar me sens mase, në rrugën e duhur. Jeta shoqërore është e inonduar me fakte e ngjarje, të cilat nuk mund të përballohen me dialog të shformuar e semplist, apo akoma më keq, duke i anashkaluar metafizikisht të gjitha “paradigmat” e moralit tonë të vjetër, apo duke iu qëndruar besnikërisht atyre, parametrave të shoqërisë së dikurshme, fijet e së cilës në dialogun e sotëm socio-moral janë këputur dhe janë pa ndikim esencial në jetën aktuale të shoqërisë. Është pozitiv fakti që gjerësia e “dialogut të pakufizuar” po i zgjeron kufijtë e shtrirjes hapësinore, angazhimit dhe intervenimit kohor. Në jetën e përditshme, në shtyp, në media janë hapur tema që më parë nuk mund të diskutoheshin, apo të bëheshin objekt dialogu në jetën publike, apo jetën private.
Koha e dialogut të mbyllur, ideve të ngurta janë bërë të huaja për shoqërinë shqiptare. Ai nuk mund të ketë më tagër ekzistencial apo mundësi reale për të qenë model “sui generis”, i ndryshëm nga modeli universal i dialogut të hapur e të pakufizuar të shoqërisë bashkëkohore. Po pse na duhet zgjerimi i kufijve të dialogut të pakufizuar? Sepse në jetën e sotme nuk ka “receta sociale” e doktrinare, që mund të ndikojnë dhe imunizojnë shoqërinë “plagët” organike të modernitetit. Në vend që t’u fshihemi problemeve, realiteteve të hidhura, plagëve sociale që po mahisen, do të ishte e udhës të mësohemi me realitetet, duke i “parë në sy” ato, duke i dialoguar, si kusht për të bërë detyrën që na takon si qytetarë, duke u përpjekur për t’i parandaluar e shmangur sa të jetë e mundur efektet e tyre. Shoqëria jonë nëse nuk i lejon vetes “dialogun e pakufizuar” me veten, nuk do të jetë e aftë për të marrë masa dhe organizuar “procese sociale rehabilituese”. Natyrisht, e gjithë kjo situatë nuk mund të përballohet, pa qenë të ndërgjegjshëm që gjërat duhen parë e interpretuar jo me doreza e slogane morale, por me dialog të zhvilluar hapur, me guxim publik qytetar. Kjo do të thotë se duhet t’i japim fund hipokrizisë sociale, interpretimit të dukurive të reja me dogmat e moralit të vjetër. Jemi të detyruar të mësohemi, të përshtatemi jo në mënyrë pasive me dukuritë e reja. Jemi të “dënuar” për t’u përballur me koston sociale të modernitetit. Fatalisht duhet të jemi të qartë e të orientuar, të pranojmë realitetet që shfaqen me të cilat jemi të detyruar të bashkëjetojmë.
Dialogu publik duhet zgjeruar, sepse jemi në momentin kur janë zgjeruar shumë dukuri kaotike morale, kulturore, fetare, familjare, seksuale. Ato kanë ontologjikisht ekzistencën e tyre, duke qenë “jashtë dhe pavarësisht” nga dëshirat e vjetra moralisht të parafabrikuara të shoqërisë së kaluar, nga synimet e njerëzve moralistë e puritan, që janë jashtë kohe, ose njerëz që jetojnë të izoluar në periferi të shoqërisë, me marrëdhënie njerëzore me intensitet të veçantë. Shoqëria shqiptare po ecën në rrugën e saj, pavarësisht nga trashëgimitë, “besnikëritë e vjetra”, “traditat e së kaluarës”, tabutë e vjetra. Në vend që të bëjmë sehir, të flasim me “surdinë morale”, do të ishte e udhës të ndërtojmë një dialog social të gjerë, të pakufizuar në hapësirë dhe në kohë. Kjo do të thotë të flasim hapur për dukuritë e reja shqetësuese, të cilat duam apo nuk duam, janë prezente dhe bëjnë presion për të ndryshuar mentalitetin dhe modalitetet e adoptimit të njeriut, mbi një bazë, që në mënyrë të determinuar është e ndryshme nga e kaluara. Nëse duam të bëjmë ndonjë gjë të hajrit, më së pari të fillojmë të mësojmë që “dialogu i pakufizuar”, ka si parakusht nevojën që të “flasim hapur”, t’i pranojmë pa “parti pris” dhe sqimë morale dukuritë e reja, të cilat nuk kemi forcë sociale dhe ligjore për t’i ndalur me dhunë.
Në vend të kësaj mënyre të vjetër, të gjejmë rrugën normale të shoqërisë së hapur, e cila problemet e saj i diskuton me veten përmes “dialogut të pakufizuar”. Të gjithë besimet e vjetra, “ketmanët” e moralit të gënjeshtërt, dogmave ideologjike e morale antihumane, skemave të ngurta, traditave e zakoneve që privonin njeriun nga liritë dhe të drejtat, janë rrëzuar përfundimisht. Nuk ka forcë që të ndalë njeriun e sotëm nga dëshirat e natyrshme. Asnjë moral që pengon liritë dhe të drejtat e njeriut nuk mund të jetë kriter për shoqërinë, e cila ka marrë tashmë përmasa të pakufizuara të modernitetit, asnjë problem nuk mund të mbetet pa u diskutuar hapur në publik. Nuk ka gjëra të arsyeshme apo të paarsyeshme, por ka gjëra reale që janë të pranishme, që meritojnë të bëhen objekt i debatit publik dhe njëherësh të diskutohen në mënyrë të arsyeshme, duke u nisur nga parimi se “çdo gjë që është reale në jetë është e natyrshme dhe duhet diskutuar si e tillë”. Në kushtet e “lirisë të fituar”, si e drejtë e njeriut për të qenë në të njëjtën kohë qenie individuale, e papërsëritshme me natyrë psikobiologjike të veçantë, me principe personale për jetën, të mirën dhe të keqen shoqërore nga njëra anë dhe qenie me natyrë sociale nga ana tjetër, e detyron shoqërinë të integrohet në një dialog të gjerë, për të ndikuar në përcaktimin e “raportit konsensual” të njeriut si individ dhe vlerave që shoqëria përpunon për orientimin e sjelljes sociale të njeriut.
Dialogu pa kufi është kthyer në kusht i pasgjësueshëm, i panegociueshëm, jo vetëm për të pasur individualitet të lirë dhe “sovranitet të pakufizuar”, por edhe si kusht magjistral, për të pasur sukses në punë, shoqëri, jetë apo profesion. Kur flasim dhe përpiqemi të akselerojmë konceptin e dialogut të pakufizuar, nuk duhet të jemi të njëanshëm, sepse në jetën e përditshme problemet e mungesës së kufijve të dialogut social, apo shpejtësisë së anagazhimit në dialogë të natyrave të ndryshme, është kthyer në një prirje sempliste, shpesh në format banale të dialogut pa substancë logjike e vlerë sociale. Kur bëjmë debate politike, mediatike, akademike apo informale, është e domosdoshme të kuptojmë se është e nevojshme, madje e domosdoshme që të mbajmë parasysh faktin, se tashmë jemi përfshirë totalisht nga ideja e qarkullimit të mendimit të lirë. Si shoqëri jemi në fazën më interesante, kur kemi hyrë në epokën e kapitalizmit “turbo”, debatit të shoqërisë i imponon lëvizje dinamike, mendime të shpejta, ide personaliste, shoqëruar me ndryshime konceptuale të bëra me shpejtësi të mëdha. Shpejtësia e ndryshimeve radikale në mendimin teorik dhe empirik, në sistemin e vlerave dhe zakoneve, i kanë zgjeruar kufijtë e dialogut të lirë, debatit të pakufizuar për çdo temë, mendim, gjykim apo paragjykim qoftë. Kjo situatë, kjo liri opinionesh dhe paqëndrueshmëri konceptesh, është realitet gjithëpërfshirës, fare evident në strukturat e debateve që zhvillohen në jetën sociale dhe individuale.