Kronika qorton ministrat e Babos…
NGA AGRON GJEKMARKAJ
Dje vapë e madhe, të piqej koka si gështenjë në zjarr. E kush ia kishte ngenë telefonit! Një numër që mbaronte me 50 nuk pushonte së rëni. Nuk ia hapa vetëm pasi shkroi një SMS… “Aman hape, jam Vinushi, ministri i terbietit!”. Ç’kam bërë, thashë me vete, se nuk jam as shumë trim si ca të tjerë që të marrin gjak në vetull, zakonisht rri urtë, ço ku lëshoj ndonjë romuz po aq, se them: zjarrit, ujit e Hyqymetit rriji larg, se gjithsesi në opozitë dhe këta qerratenj të punojnë qindin, kundërshtarët i duan në burg. Salianji 10 muaj në hapsana pa e ditur kush pse!
Nejse, e hapa dikur, turk e trim: “Hajer i thashë”! Ai me zë që i dridhej, filloi: “Ore jam djalë me kode, jam njeri për së mbari, jam xhanan, kot më ke marrë zët, di shkrim e këndim, qafsha babdajen, jam me shkollë të lartë, kam studiuar në Turqi në shkollën e zaptijeve, pastaj kam bërë një kurs për violinë në Mynih”!
E ndërpreva: “Po si është puna more i uruar, fol!”
“Ore jam çun me vlera” – tha – “më ka mbetur hatri që më barazove me Gonxhen, ai para meje është analfabet e the që i madhi do na fshijë të dyve, po nuk të mora për këtë, unë për “Kronikën” kam respekt, se sapo mora detyrën, Bela më tha që atë lexon dhe Babo dhe ajo vetë për të vlerësuar performancën e punës dhe kuptuar humoret e vatanit…!”
“Rrofsh, po si e ke hallin?” nuk mu durua e pyeta.
“Kam shumë frikë se do ma lini fajin mua, po nuk e nxora unë në pritë Iglin, nuk bëj nga këto unë…!”
Hop brofa në këmbë… “Po ç’ka ndodhur more byrazer?”
“Lëre lërë”, vikati, “turp e faqja e zezë, nami, hataja, po ja Bela na thirri për mbledhje qeverie, se Babua ka punë më të mëdha, si për shembull ta bëjë Thethin fushë dhe të flasë ‘sy më sy’ si prishen kotecet, por i doli një gjë e na lajmëruan që pini një kafe nja një sahat, ngrohuni në diell”!
Po rrinim në këmbë ne burrat e Hyqymetit e Pirrush palikari na ftoi për kafe po nuk tha kot motit Homeri: “Druaj grekërit edhe kur bëjnë dhurata!”… Kur ai kacamiser filloi gjasmë si muhabet burrash e virtytesh.
“S’ke pa gegë me sy, djegi veten edhe ty, tha Igli, ‘ky sajon VKM-ra, ndalon shpërblimet, sillet si xhandari i financave me paranë publike…!”
Befas Petri shpërtheu: “Unë të bëj e unë të kthej” dhe përmbysi tavolinën në mes të mejhanës!
Zoti kish menduar për ne dhe hyri në mes Ulsushi: “Më bini mua sa të doni po mos e bani këtë marrëzi, po e turpëroni Babon e krejt Dovletin, ne boll kemi në shpinë farsën”!
Ai mbante Petritin që ishte çmendur, i cili i grisi këmishën prej kamriku të sapoqepur, me thonj të paprerë ja bëri shpinën gjak, zgjati dorën të kapte Iglin për flokësh, por ai tullac i zhguli gjysmën e mjekrrës së Ulsisë, qimet e së cilës mbuluan barin si brymë! Nuk e dija aq të trashë, pu pu pu!
Fjalët turiderr, BQ, dudum, edepsëz, kokëshpullë fluturuan në ajër, nuk dija ç’të bëja, të thërrisja Proden të vinte vrap me sirena e t’u hidhte hekurat, i bëja dëm të madh partisë e s’e bëja dot…!
“Po Dëngu ç’bënte ndërkohë?” pyeta.
“Ai mo?… skuthi mori smuthin me pip që kishte porositur dhe u fsheh poshtë banakut…!”
Na habiti shumë ky Petriti, pastaj i tha Iglit: “Ta tregoj unë ty… ky ja priste me ha atë që nuk thuhet… kur puna shkoi keq, unë thirra ndihmëëë, ndihmëë… askush nuk po vinte… edhe pse Ulsiu po mbahej në këmbë nga shtyrjet… jo si ti që përfundove në spital në dhjetor…”!
Për fat zëri ishte dëgjuar nga Kosta i Gramozit dhe Linditës, i cili tanimë vigjëlon në kryesinë e Kuvendit.
Ai, duke çjerrur faqet, kishte shkuar tek dera e drunjtë e Mamicës, bim bam, bim bam me grushte e këmbë i binte ndërkohë thërriste: “O Perëndi a ndjeve, lëshona një rrufe ku jemi katandisur, dordomuzet po na lënë pa guvernë, vraji Zot, vraji Zot, ata le të rrihen si dreqër po si ja bëjnë Babos këtë, si ja bëjnë zemrën krater, pak halle ka ai të këshillojë Trampin, Merzin, Makronin e”?
Dikur Mamica i kishte hapur derën dhe ai ishte zalisur tek porta, mesele me vete…!
Sa e sollën në fije Kostaqin, ai filloi të tregonte për sinjalin SOS që kisha lëshuar… Mamica kishte vikatur… shpejt, shpejt, shpejt, takemet, mehlem, garza, alkool, serume, ishte veshur si ato të kryqit të kuq dhe ia brofi aty me kryqin mbi ballë si kroçerosina, lëshoi një pasthirrmë, vuaj nga mosthënja, nga pengu tragjik, dhe pyeti ku janë të rënët, të plagosurit dmth… Petri nën një shelg rënkonte, Ulsia nën një lis ndalonte gjakun me duhan, Igli ndiqte me vrap Dëngun për ta shpërblyer me ndonjë shqelm, po ai nuk kapej…
Nejse, Mamica i leu shpinën Ulsiut, fashoi të tjerët… më dha mua një paracetamol… me vete ajo nuk pushonte, fliste: “Pse more të paudhë po shqyeni njëri-tjetrin si oktapodët”?
Pasi e sigurova Vinushin që ndershmëria e tij do të vlerësohet dhe askush nuk do ta fajësojë, nuk munda të rri pa e pyetur si ka mundësi që nga pallati i Qeverisë nuk doli askush t’u ndajë?
“Eh, nuk u bënte zemra. Tezja rënkonte në dritare: ‘Të vranë o Miti, të vranë!’… Anila vajtonte me zë të mbytur si blegërimë… Taos i kishte rënë të fiket…! Gonxhja thoshte jo, jo më rrahin dhe mua kam frikë, kam frikë!
Vetëm Og shpirtnjeriu, si e dhembshur, i kishte thënë Delinës të kapim një barrë, të shkojmë në ndihmë, Ibrahimaj paskësh vikatur kokën të hanë!
Dikur u ngjitem kush me paterica kush për krahu duke pushuar nëpër shkallë!
Bela falënderoi Ulsinë për kontributin si paqeruajtës dhe paqebërës për rolin e tij si Anton Çeta, më përgëzoi mua për qetësinë e maturinë e treguar… qortoi Petrin e Pirrushin rëndë, u tha që t’i hiqnin njëri-tjetrit nga dy dacka të mira, se ajo i kishte duart e zëna e nuk kishte aq durim t’i rrihte vetë atë moment! Ju shtifsha në dhe, u tha: “Si ma bëtë këtë? Ju mora nga hiçi dhe ju bëra ministra e sadrazëm, kurse ju pëgërni aty ku hani… Ta shihni me dylbi ushtrie vezirllëkun në shtator!”, – i kërcënoi.
Më preku gjithë ky sinqeritet dhe besim i Vinushit të Kronika! I premtova që do flas që ai së paku të zërë vendin e Pirrushit si ministër i Askerive dhe Ulsia për vitalitetin dhe dominimin e situatës kriminale të kapë punët e brendshme!
Të lutem e porosita mos ta marrë vesh Etilda gjithë këtë gjurulldi se nuk e mban dot, mjaft e lënduar është nga padrejtësia që ju bëjnë derisa të ndreqet!
/Gazeta Panorama