Sun, Aug 3, 2025

Asnjë ndërtim mbi hapësira publike! Qeveria ndalon ndërhyrjet në rrugë e zona të gjelbra

  • PublishedJuly 24, 2025

Asnjë ndërtim mbi hapësira publike! Qeveria ndalon ndërhyrjet në rrugë e zona të gjelbra

VOLTIZA DURO/ Me një vendim të ri të Këshillit të Ministrave, qeveria shqiptare ka ndërmarrë masa të forta për të frenuar kaosin urbanistik dhe për të garantuar aksesin e qytetarëve në hapësirat publike.

Vendimi sjell ndryshime të rëndësishme në Rregulloren e Zhvillimit të Territorit dhe synon të ndalojë ndërtimet dhe veprimet që bllokojnë rrugët, sheshet dhe zonat e përbashkëta në qytete dhe zona rurale. Një nga pikat më të forta të këtij vendimi është ndalimi i prerë i vendosjes së pengesave që kufizojnë kalimin në hapësirat publike, edhe nëse prona është private.

“Ndalohet dhënia e lejeve të ndërtimit dhe e deklaratave paraprake për kryerje punimesh, si dhe kryerja e çdo lloj punimi për vendosjen e rrethimeve, trarëve ose çdo mjeti kufizues të hyrjes në ato prona private apo pjesë të sipërfaqes së tyre, të cilat janë të ngarkuara me servitut publik. Edhe në rastet kur servituti nuk është i regjistruar në regjistrin e pasurive të paluajtshme, lejet nuk lejohen në prona që përbëjnë rrugë kalimi ndërmjet objekteve, daljen drejt rrugëve apo hapësirave publike”, – thuhet në vendim.

Ky ndryshim synon të ndalojë fenomenin e njohur në shumë lagje, ku individë apo zhvillues privatë kanë bllokuar rrugë ose hyrje për banorët, duke i kthyer në prona të izoluara. Në të gjitha rastet kur është dhënë një leje për vendosje rrethimi apo trari në një zonë me servitut publik, bashkia do të ketë të drejtën ta anulojë ose ta shfuqizojë lejen, nëse kjo ka qenë në kundërshtim me ligjin. Përveç mbrojtjes së hapësirës publike, vendimi vendos një rregull të ri për pagesat e tarifave të ndërtimit: çdo kërkesë për leje ndërtimi, ndryshim projekti, certifikatë përdorimi apo shtyrje afati do të refuzohet automatikisht nëse tarifa përkatëse nuk paguhet brenda 15 ditëve nga marrja e njoftimit.

“Sekretariati lëshon dokumentin e refuzimit të lejes së zhvillimit, në rast se subjekti kërkues nuk kryen pagesën e tarifës për leje zhvillimi brenda 15 ditëve nga marrja e njoftimit për lëshimin e faturës”, – nënvizohet në vendim.

Sakaq, qeveria po synon të ndalojë edhe një tjetër praktikë problematike, dhënien e lejeve për ndërtim në prona private që janë parashikuar për funksione publike. Në nenin 7 të vendimit thuhet: “Ndalohet dhënia e lejeve të ndërtimit nga autoritetet e zhvillimit për pasuritë private, të cilat kanë qenë pjesë e kufirit të zhvillimit dhe të destinuara për hapësira publike, si sheshe, parqe etj.”.

Krahas ndalimeve, janë vendosur edhe rregulla të qarta për transferimin e lejeve të ndërtimit në rastet kur ndryshon pronari apo zhvilluesi. Leja është e transferueshme, por vetëm nëse paraqitet dokumentacioni i plotë, përfshirë autorizimet ligjore dhe marrëveshjen për kalimin e të drejtave. Procesi kryhet përmes sistemit elektronik “e-Leje” dhe nën kontrollin e autoritetit që ka miratuar lejen. Në fokus të veçantë të ndryshimeve janë edhe projektet për banim në zonat rurale. Këto projekte, të njohura si “Projekt TIP” nuk do të mund të miratohen më nga bashkitë.

Neni 1 i vendimit e përkufizon qartë: “Projekt TIP janë projektet e hartuara dhe të miratuara nga Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit dhe Agjencia e Zhvillimit të Territorit për qëllime strehimi dhe banimi në zonat rurale”.

Në rast se objekti ekzistues në një pronë ka faqe kallkan, lejohet ndërtimi deri në kufi pa marrëveshje midis palëve, por vetëm nëse respektohen lartësitë dhe planet urbanistike të miratuara. Kjo risi synon të lehtësojë ndërhyrjet urbane, por jo të dëmtojë harmoninë arkitektonike të zonës. Qeveria u ka dhënë gjithashtu afate të qarta institucioneve për zbatimin e vendimit. AKPT dhe AZHT kanë deri në 6 muaj për të miratuar projektet TIP sipas rregullave të reja. Ndërkohë, autoritetet vendore janë ngarkuar të rishikojnë lejet e dhëna më parë për rrethime apo bllokime të rrugëve dhe në rastet kur ato cenojnë servitutin publik, të nisin procedurat për anulim ose shfuqizim.

/Gazeta Panorama