Sat, Aug 2, 2025

Turi i dytë i Europës, dy barazime janë pak për kuqeblutë e Vllaznisë

  • PublishedJuly 24, 2025

Turi i dytë i Europës, dy barazime janë pak për kuqeblutë e Vllaznisë

Pavarësisht se arriti një kualifikim me “zemër në dorë” në turin e parë të Conference League, ku me përmbysje kaloi letonezët e Daugavpils, te Vllaznia duket se nuk ka aspak vend për eufori. Shkodranët janë kthyer të premten në mëngjes në qytetin e tyre, ku do të qëndrojnë edhe për dy ditë pushim, për t’u kthyer në fushën stërvitore ditën e diel, ku do të nisin menjëherë përgatitjet për turin e dytë të Conference League.

Por gjithë ai festim dhe gëzim është lënë pas në Riga dhe euforia duket në doza shumë të ulëta në kampin e kuqeblue. Kjo, sepse kalimi i këtij turi ndaj Daugavpils, pavarësisht se rezultoi më i fortë seç pritej, ishte një “detyrim” dhe objektiv për klubin 9 herë kampion të vendit tonë. Trajneri Martini, stafi teknik dhe po ai drejtues duket se janë të gjithë në një linjë, duke mbajtur ekipin me “këmbë në tokë”.

Kështu, përqendrimi do jetë total në turin e dytë të Conference League, ku shkodranët do të përpiqen pse jo edhe për një surprizë tjetër, që do të ishte historike pastaj e që realisht mund të festohej siç duhej, pasi për kalimin e turit të parë, festa dhe gëzimi ishte i limituar edhe nga vetë objektivi që kishte skuadra: minimalisht kalimin e një turi në kompeticionet e Europës.

SHIFRAT – Për ata që nuk e dinë, Vllaznia asnjëherë nuk ka luajtur në raundin e tretë të një kompeticioni europian. Skuadra kuqeblu në turin e dytë të katër kompeticioneve europiane ka zhvilluar 14 takime me shtatë kundërshtarë të ndryshëm. Asnjë kualifikim i arritur dhe vetëm 2 barazime e 12 humbje për skuadrën e Edi Martinit. Tabuja është e madhe, sepse Vllaznia ka shënuar 3 gola dhe ka pësuar 32 të tjerë. Ka pasur përballë kundërshtarë si: Napoli, Thuni, Rapidi i Vjenës, Gallatasaraji, që nuk të japin asnjë shans dhe numrat janë këta që janë.

Shifra që nuk të lënë shkak për të shpresuar. Për më tepër, që përballë do të ketë Vikingurin, i cili në letër është një ekip shumë më i fortë se shkodranët. Po në futboll asnjëherë nuk mund të parashikosh, sepse mrekullia ndodh ndonjëherë…

VLLAZNIA

 


AlbaniaWeb.net