“Ku po e çon Giorgia Evropën?”- Meloni në kopertinën e revistës Time
Revista amerikane Time i ka kushtuar një artikull të gjatë dhe kopertinën kryeministres italiane Giorgia Meloni, duke e përshkruar si një nga “figurat më interesante në Europë” dhe si arkitekte të një “nacionalizmi të ri”, që kombinon identitetin e fortë kulturor me angazhimin perëndimor.
Në titullin kryesor, “Ku po e çon Giorgia Meloni Europën”, Time nënvizon dualitetin që ajo përfaqëson: një politikane që vjen nga ekstremi i djathtë, por që po qeveris si një konservatore pragmatike dhe e përmbajtur. Sipas autorit të profilit, Massimo Calabresi, Meloni ka befasuar kritikët që prisnin një kthesë autoritare, duke u shfaqur më e moderuar si në politikën e brendshme, ashtu edhe në marrëdhëniet ndërkombëtare.
Nga frika e Musolinit, te respekti ndërkombëtar
Kur erdhi në pushtet në tetor të vitit 2022, në krye të partisë Fratelli d’Italia (me rrënjë tek lëvizja post-fashiste), shumë e konsideruan si një rrezik për demokracinë italiane. Por sot, Meloni përmendet me respekt si nga presidenti Joe Biden, ashtu edhe nga liderë të BE-së dhe të djathtës amerikane, përfshirë J.D. Vance.
Ajo është shfaqur e vendosur kundër Rusisë, ka mbështetur Ukrainën, ka qëndruar besnike ndaj NATO-s dhe ka mbajtur linjë kritike ndaj Kinës – çka e ka larguar nga imazhi i së djathtës klasike europiane.
“Populiste, por jo e papërgjegjshme”
Në profilin e Time, Meloni përshkruhet si “populiste dhe nativiste, por e angazhuar në aleancat euroatlantike”. Artikulli përshkruan edhe takimin e saj me ish-presidentin Donald Trump, ku ajo u përgatit deri në detaj për çdo temë që mund të prekej dhe e kaloi “testin” pa u dorëzuar apo provokuar. “Ai është luftëtar, unë jam luftëtare”, tha Meloni për revistën, duke e portretizuar veten si të barabartë në lojën e pushtetit.
Rreziku: Normalizimi i ekstremit
Megjithatë, Time nuk anashkalon as paralajmërimet për rreziqet që sjell modeli Meloni: bashkimi i forcave të ekstremit të djathtë nën një çadër “normale” dhe demokratike, që sipas kritikëve mund të çojë drejt një transformimi institucional të rrezikshëm. Meloni, nga ana tjetër, e mohon këtë dhe e cilëson si sulme ideologjike pa bazë reale.
“Nuk jam raciste, nuk jam homofobe. Më akuzojnë për çdo gjë – nga lufta në Ukrainë deri te vdekjet në Mesdhe – sepse nuk kanë argumente”, tha ajo për Time.
Meloni, siç e sheh vetë veten
Ajo e mbyll intervistën me një vetëpërkufizim të thjeshtë por të qartë: “Jam e shenjës së Bricjapit. Për disa gjëra jam shumë e vendosur.” Për Time, ajo është më shumë se një figurë politike – është simboli i transformimit të djathtës europiane nga margjina në qendër të skenës. Dhe për momentin, e ka luajtur lojën me saktësi ushtarake.