Sun, Jul 27, 2025

Homazh për arbëreshët e Zarës

  • PublishedJuly 25, 2025

Homazh për arbëreshët e Zarës

NGA DR. JORGJI KOTE 

Pas promovimit të vëllimit të tetë me 50 poezi të reja, poeti dhe diplomati i njohur tetovar Daim Ilazi ka botuar muajt e fundit monografinë “Figura markante të shqiptarëve të Zarës” që i dedikohet 20 personaliteteve më me zë të Arbanasit, treva e banuar nga shqiptarë pranë qytetit Zarë ( Zadar) në Kroaci. Vlerat dhe besueshmëria e këtij botimi janë të mëdha në radhë të parë falë autorit të tij, intelektual i spikatur, i diplomuar në Universitetin e Zagrebit; gjatë atyre viteve ai ka qenë dhe në Zadar, ku ka njohur disa prej atyre personaliteteve; gjithashtu, ka ndjekur jehonën e tyre në media, televizione dhe në veprimtari të ndryshme atje. Më tej, i ka njohur, ka folur dhe ka takuar disa prej tyre në Shkup, në Bernë, në Paris, në Bruksel dhe në Ankara ku mbi 20 vite ka shërbyer si diplomat i spikatur. Është frymëzuar prej tyre, duke u bërë më vonë nxitës dhe promovues i letërsisë shqipe. Daim Ilazi është themelues dhe Kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve shqiptarë OENEUM, fitues i çmimeve poetike dhe në Paris dhe i dekoruar me medaljen “Kalorësi i Palmës Akademike nga qeveria franceze.

Libri i ri “ Figura markante të arbëreshëve të Zarës” na kthen në kohë në vitin 1655 dhe 1726 – 1733, kur për shkak të shtypjes nga otomanët dhe vështirësive ekonomike, një numër i madh shqiptarësh katolikë nga zonat pranë Liqenit të Shkodrës dhe Tivarit u larguan me anije dhe u vendosën pranë qytetit të Zadarit, në Kroaci; fshatrat më të banuara ku u sistemuan shqiptarët atje ishin Zemuniku, Murvica, Rashtevici dhe Polaçi. Aty u krijua vendbanimi me i madh me shqiptarë autoktonë që u quajtën ’Arbanas’ ose arbëreshë. Integrimin e tyre e lehtësoi me bujarinë dhe fisnikërinë e tij dhe Kryepeshkopi i Zadarit, Imzot Vicko Zmajeviq.

Libri tregon me shumë fakte dhe referenca historike se arbanasit e filluan jetën atje si bujq dhe barinj të mirë; ata ishin të parët që mbollën misër, prodhues salsiçesh dhe tregtarë bagëtish. Ndërkohë, ata nuk e harruan Atdheun e tyre të parë. Arbëreshët e Zarës kanë bërë çmos për t’i mbajtur të gjalla gjuhën shqipe, kulturën, vlerat dhe traditat më të mira të tokës amë. Në vitin 1866 atje u çel shkolla shqipe por që u mbyll në vitin 1921. Arbanasit mbështetën fuqimisht përpjekjet për pavarësinë e Shqipërisë, ndërmjet të tjerash dhe me një deklaratë në shqip, italisht dhe kroatisht. Pas vitit 1912 atje shkuan për takime me banorët dhe Faik Konica, Shtjefën Gjeçovi dhe Fan Noli.

Dhe personalitetet e sotme më të rinj të Zarës, si Dashko Modriniq, aktor i famshëm teatri dhe filmi pohojnë me krenari prejardhjen shqiptare në Kroaci dhe kudo në botë, ku shumë prej tyre kanë performuar, ligjëruar dhe interpretuar me mjeshtërinë dhe talentin e tyre brilant dhe me jehonë kontinentale.

Libri është një galeri e gjallë me 20 portretet më të ndritura të shqiptarëve të Zarës, duke filluar nga viti 1466 me humanistin europian Gjin Kazulla e deri në ditët tona.

Këto talente me jehonë rrezatuese, si dhe sopranoja jonë e famshme, Marie Kraja, e lindur dhe ajo në Zarë shkëlqyen në politikë, diplomaci, gazetari, teologji, në biznes, art, kulturë, letërsi, muzikë, në sport, në jetën parlamentare dhe akademike, madje dhe në luftë.

Në fushën politike, diplomatike, parlamentare dhe qeveritare ka spikatur Dr. Ivo Perovic, ish – Prefekt i Splitit dhe ndihmës i ministrit të Brendshëm në vitet ’ 30. Pas Luftës së II Botërore është shquar Josip Gjergja si ambasador në disa vende, përfshirë Shqipërinë përpara viteve 90. Më vonë ishte deputet dhe nënkryetar i Parlamentit të ish-Jugosllavisë derisa dha dorëheqjen pas konflikteve me Titon. Arbanasi tjetër më i ri, Bozhidar Kallmeti ka qenë deputet i Kroacisë, ministër i Turizmit dhe dy herë kryebashkiak i Zadarit; është dalluar për trimëri dhe në luftën kundër Serbisë. Ndër më të rinjtë shquhet Valter Flego, i cili në vitin 2019 – 2024 ishte europarlamentar; më parë ka qenë Prefekt dhe 2 herë kryebashkiak i Buzetit.

Padyshim arti, kënga dhe muzika klasike, e lehtë dhe popullore është fusha ku arbëreshët e Zarës kanë shkëlqyer dhe më shumë. Rasti më emblematik është ai i familjes Deshpali me katër pjesëtarët e tij, “ njeri më i madh se tjetri”; Babai, Shimi, shkrimtari dhe “kolosi” i muzikës klasike kroate; themelues dhe dirigjent i disa orkestrave dhe koreve qysh në periudhën e Luftës së II Botërore dhe më vonë. Ish- drejtor i Teatrit të Zagrebit. Djali i tij i parë, Valteri i ndarë nga jeta më 2023, figurë tjetër e madhe e muzikës kroate dhe europiane; pas përfundimit të studimeve për violinçel në Nju Jork dhe në Moskë, Valteri ka performuar në skenat më të mëdha botërore si violonçelist, dirigjent, kompozitor dhe teoricien muzikor. Dhe më i shquar djali tjetër, Pavle, ky pianist i talentuar, dirigjent i Filarmonisë së Zagrebit; drejtor i Filarmonisë së Tokios dhe profesor i kantos atje. Pastaj, drejtor i Teatrit të Operës në Florida, Zagreb dhe Ljubjanë dhe drejtues i orkestrave simfonike në Londër, Moskë, Çikago, Tokio, etj. Pavle ka shkëlqyer dhe në jetë akademike, duke u zgjedhur Nënkryetar i Akademisë së Shkencave të Kroacisë.

Edhe motra e tyre, Maja ose Marija Deshpali ( Begoviq) ishte violiniste e talentuar; ajo ka dhënë dhjetëra koncerte në gjithë botën bashkë me vëllain, Pavlen; më vonë, ajo u bë udhëheqëse artistike e Teatrit të Operës të Zagrebit, etj. Talent tjetër i madh ishte Ennio Stopseviq, djali i akademikut të famshëm Aleksandër Stipseviq në fushën e teorisë së muzikës, bashkëpunimin me ekspertë muzikologë të shumë vendeve, në projekte dhe programe europiane për studimin e muzikës kroate, etj.

Veçanërisht në këtë fushë me ndjeshmëri dhe jehonë të madhe artistike dhe kulturore tërheq vëmendjen fakti se këto tradita dhe arritje, të mishëruara te këta dhe të tjerë personalitete me origjinë shqiptare në Zarë vijojnë dhe rinovohen deri në ditët e sotme. Ndër më të rinjtë këtu spikat këngëtarja dhe aktorja e famshme, 43-vjeçarja Nera Shipjeviq dhe këngëtari i madh kroat, Bepo Mateshiq. Të dy ata vijojnë në gjurmët e paraardhësit të tyre, këngëtarit të madh, Tomislav Ivçiq, i cili ka shkruar 200 këngë, dhe ka shitur 23 albume me 2,5 milionë kopje. Kënga e tij “O Zot mbroje Kroacinë” është himn i vërtetë. Në vitin 1990, 40- vjeçari Tomislav Ivçiç u zgjodh dhe deputet i Kroacisë, por vdiq një javë përpara se të hynte në Parlament pas një aksidenti rrugor. Ashtu si Tomislavi, dhe vëllai i tij, Vedrani, i ndarë nga jeta dhe ai para kohe në moshën 51 vjeçare pas një sëmundje të rëndë, shkëlqeu si këngëtar i muzikës së lehtë në Gjermani dhe deri në Amerikë. Dhe vëllai tjetër, Gjani Marshan ishte këngëtari i famshëm me 80 komponime, poliglot dhe diplomat i shquar në disa vende. Spikat kënga e tij himn dhe në anglisht “Ndal luftën ndaj Kroacisë”. Jo më vonë se në vitin 2021 në një intervistë të gjatë për median kroate ai ka theksuar rrënjët, vlerat, traditat dhe krenarinë për origjinën e tyre shqiptare.

Në letërsi u shqua Josip Rela, themelues i dramës shqip në ish – Jugosllavi , autor i 16 dramave teatrale, ku spikat NITA e shfaqur dhe në Tiranë. Pas tij shkëlqen Ratimir Kalmet, gazetar, shkrimtar dhe linguist i njohur, autor i 40 librave dhe botimeve të vlerësuara. Augustin Stipseviq, një tjetër arbanas është autori i Antologjisë së Letërsisë shqipe në Jugosllavi në vitin 1970. Edhe artisti i njohur Bernard Kotlar ka shkruar një libër me vlera mbi arbanasit dhe historinë e tyre frymëzuese.

Në libër lexojmë me vëmendje dhe për talentet në fushën e sportit, sidomos në basketboll dhe në futboll. Këtu shquhet Josip Pino Gjergja, legjendë e basketbollit kroat dhe Jugosllav në vitet 70 me medalje të argjendta në botërorët e basketbollit. Ndërsa futbollisti i dëgjuar Vilson Xhoni, me origjinë nga Kosova ishte emblema e “Hajduk” të Splitit, Dinamos së Zagrebit dhe në fund Schalke 04 në Gjermani, i shpallur si futbollisti më i mirë në Ish Jugosllavi në vitin 1978

Libri i kushton me të drejtë shumë vend akademikut të madh arbanas Aleksandër Stipseviq: i shquar si arkeolog, drejtues bibliotekash universitare, drejtues katedre dhe profesor i filozofisë në Universitetin e Zagrebit; një ndër ilirologët më të mëdhenj, autor i 7 librave kushtuar ilirëve dhe shqiptarëve, me referate dhe kumtesa në universitete të shquara kudo në botë dhe në Shqipëri. Është dekoruar dhe nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë me dekoratën e artë “Naim Frashëri” dhe “Urdhrin e Skënderbeut”. Në këtë fushë spikat dhe Kruno Krstiq, leksikograf, gjuhëtar, filozof dhe psikolog i mirënjohur.

Disa personalitete me origjinë shqiptarë janë dalluar dhe në luftën e ushtrisë kroate kundër forcave serbe në vitet 90. Këtu veçohet Koloneli Ivica Mateshiq, shkrimtar, skenarist, ushtarak dhe komandant i spikatur, i shquar për guximin dhe talentin ushtarak. Ivica ka qenë Atashe ushtarak në Itali më 2008 – 2011 dhe në Shkup, Prishtinë dhe në Tiranë deri në vitin 2017.

Galeria e personaliteteve shqiptare të Zarës nuk do të ishte e plotë pa Imzot Ivan Prenda, Kryepeshkopi i 68-të i Zarës, i cili ka dhe meritën e çeljes së shkollës teologjike në Zadar.

Ja pse, në Parathënien e tij, Prof. Dr. Ejup Ajdini pohon se “ me këto personalitete krenohet Kroacia por dhe shqiptarët, sepse ata çdo herë pohojnë se kanë rrënjë shqiptare, pra flasin gjuhën arbëreshe në shtëpitë e tyre”. Dhe publicisti i njohur kroat Drago Mariq ka pohuar se “arbanasit ishin forcë udhëheqëse në Zadar, në Kroaci dhe më gjerë”.

Pavarësisht nga natyra e tij monografike, librin e bëjnë dhe më tërheqës burimet e shumta origjinale nga arkivat dhe media, intervista të personaliteteve të shquara kroate dhe shqiptare, etj. Me gjuhë dhe stil të thjesht, që janë “habitati” i tij, me shumë fakte, pasion dhe poezi, Daim Ilazi ndriçon cilësitë, vlerat dhe virtytet dhe gjurmët e tyre të pashlyeshme në Zadar, në Kroaci, dhe gjithandej në botë.

Së fundi, ky botim i ri, përveç se homazh për shqiptarët e Zadarit, është kujtesë dhe apel për shtetin, qeverinë dhe diplomacinë tonë dhe të Kosovës, për të mbajtur gjallë dhe forcuar kujdesin dhe lidhjet me shqiptarët në Zadar dhe për të njohur më nga afër vlerat dhe trashëgiminë e tyre të pasur shpirtërore; e shoqëruar kjo dhe me veprimtari të përbashkëta në të gjitha këto fusha jetike. Duke ftuar në Tiranë akademikë, shkrimtarë dhe artistë arbanas me famë. Ca më tepër se Zadari është fare afër dhe marrëdhëniet tona me Kroacinë janë shumë të mira; për rrjedhojë nuk ka asnjë pengesë, veç vullnetit tonë.

/Gazeta Panorama