Bashkia Tiranë i hap rrugë ‘shembjes’ së Pallatit të Kongreseve

Vendimi i këshillit bashkiak u mor me shumicën e votave të anëtarëve socialistë, ndërsa opozita e kundërshtoi këtë akt duke aluduar se qëllimi nuk ishte ‘rikonstruksioni’ i godinës por i shembjes ose tjetërsimit të pronave rreth saj për të ndërtuar kulla të reja në qytet.
Në relacionin e vendimit të bashkisë thuhet se ndërtesa “ ka paraqitur shenja amortizimi dhe degradimi për shkak të infrastrukturës së vjetëruar” . “Ky objekt paraqet një mundësi zhvillimi ekonomik dhe urban për t’u përfshirë në projektin “Zhvillimi dhe menaxhimi i godinave shtetërore”- thuhet më tej në relacion duke iu referuar vendimit të qeverisë për kriteret dhe procedurat e dhënien së pronës shtetërore me qira, enfiteozë, leasing, shitje, përdorim si kolateral dhe të përdorimit në forma të tjera nga ana e Korporatës së Investimeve Shqiptare.
Në një material të shkurtër publikuar në faqen e Korporatës së Investimeve thuhet se “qëllimi kryesor i projektit është përmirësimi i cilësisë së infrastrukturës përmes rikonstruksionit dhe modernizimit të duke e shndërruar atë në një strukturë multifunksionale që përmbush standardet bashkëkohore për konferenca, evente kulturore dhe tubime publike”.
Korporata nuk ka publikuar një projekt konkret ose një pamje se si do të shndërrohet kjo godinë që gjendet në bulevardin kryesor të të kryeqytetit, por projektet e tjera të ‘rijetëzimit’ sugjerojnë se rikonstruksioni i godinave publike shoqërohet me ndërtime private, kryesisht kulla, në pronat publike pranë tyre.
Sipas korporatës partneri privat në projektin e rijetëzimit do të “përfitojë pjesën përkatëse të zhvillimit sipas marrëveshjes”.
Gazetarja Beti Njuma, e cila është këshilltare bashkiake e opozitës, e kundërshtoi vendimin dhe tha se ai parashikonte në fakt shembjen e kësaj godine, që është simbol i kujtesës historike të Tiranës.
“Objekt pas objekti, godina që mbajnë historinë tonë po zhbëhen për t’ia lënë vendin kullave dhe harresës”, shkruajti ajo të enjten në Facebook pak para mbledhjes ku u miratua vendimi për të kaluar këtë pronë të bashkisë në duart e qeverisë.