“Lind” Inter i ri, zikaltërit nisin përgatitjet në “Appiano Gentile”, tifozët kërkojnë Lookman
Nga Appiano Gentile, nga kjo e shtunë, Inter nis zyrtarisht përgatitjet për sezonin e ri. I pari që zbarkoi në qendrën stërvitore ishte pikërisht trajneri Christian Chivu, ndërsa me grupin ishin edhe dy lojtarët e shumë përfolur gjatë verës Calhanoglu dhe Martinez. Më herët, një ditë më parë, dy lojtarët u kujdesën për të treguar se mes tyre gjithçka është sqaruar, duke postuar një foto të përqafur. Taremi dhe Frattesi ishin dy lojtarët e vetëm që munguan në këtë grumbullim, të parit Inter i ka dhënë edhe disa ditë më shumë leje, ndërsa Frattesi është ende jashtë pas operacionit që iu nënshtrua në ije.
Të pranishëm në qendrën stërvitore të Interit ishin edhe shumë tifozë zikaltër, të cilët shpërthyen në momentin ku Ausilio u bashkua me ekipin, duke i kërkuar drejtorit sportiv blerjen e Ademola Lookman.

Sipas Corriere dello Sport, drejtori zikaltër ka marrë dritën jeshile nga pronarët e klubit për t’i paraqitur Atalantës një ofertë zyrtare. Nga e hëna, palët do të nisin negociatat zyrtare, me Inter që është gati t’i vendos në tavolinë ekipin bergamsk 45 milionë euro kesh.

Ndërkohë edhe La Gazzetta i kushtoi faqen e parë ekipit zikaltër, duke u ndalur tek paqja e vendosur mes Calhanoglu dhe Martinez. E paqartë mbetet e ardhmja e Kristjan Asllani. Mesfushori kuqezi është nxjerr në shitje nga Inter, por kërkesa e tyre, 18-20 milionë euro është kthyer në pengesë.
()