Sun, Jul 27, 2025

SPAK godet organizatën e trafikut të drogës, sekuestrohen 6 ton kokainë

  • PublishedJuly 26, 2025
SPAK godet organizatën e trafikut të drogës, sekuestrohen 6 ton kokainë

Sipas SPAK, ky grup i strukturuar kriminal vepronte përmes një organizimi të sofistikuar dhe trafikonte kokainë nga Amerika Latine drejt disa vendeve të Bashkimit Evropian, si dhe në Mbretërinë e Bashkuar.

Lënda narkotike vinte kryesisht nga Santa Marta (Kolumbi) ose Ekuadori dhe transportohej me kontejnerë detarë drejt porteve të mëdha si Anversa (Belgjikë), Roterdami (Holandë) apo në rrugë tokësore drejt Francës, dhe më pas përmes Tunelit të Kanalit drejt Britanisë së Madhe. Në disa raste, ngarkesat përfundonin edhe në portet e Italisë dhe Spanjës.

“Struktura organizative e këtij grupi kriminal, me shtrirje në disa kontinente dhe me 16 anëtarë të identifikuar deri tani, dëshmon nivelin e lartë të sofistikimit të grupeve kriminale shqiptare, aftësitë dhe shtrirjen e tyre në tregje kriminale ndërkombëtare,” thanë në një njoftim për shtyp dy prokurorët e çështjes, Altin Dumani dhe Adnan Xholi.

Transporti i drogës karakterizohej nga metoda të sofistikuara fshehjeje dhe një logjistikë e mirëorganizuar ndërkombëtare. Për fshehjen e drogës përdoreshin mënyra të ndryshme, si fshehja në paleta me dru (Belgjikë, Francë), kuti me banane (Holandë) dhe thasë me kokrra kakaoje (Roterdam), duke e maskuar si mall tregtar për të shmangur kontrollin doganor.

Grupi kishte një organizim hierarkik dhe role të specializuara. Në krye qëndronin drejtuesit dhe financuesit, të cilët jo vetëm porosisnin dhe financonin ngarkesat, por edhe koordinonin rrugët, kontaktet dhe operacionet logjistike. Ata ishin ideatorët, investitorët dhe garantuesit e aktiviteteve kriminale, duke lidhur burimin e drogës në Amerikën Latine me tregjet evropiane përmes një zinxhiri të sofistikuar ndërmjetësimi. Shumica e tyre jetonin mes vendeve të BE-së, Britanisë së Madhe dhe Dubait në Emiratet e Bashkuara Arabe.

Nën ta vepronin bashkëpunëtorët që siguronin logjistikën dhe transportin. Këta gjenin kompani legjitime eksporti apo transporti, kontraktonin shoferë – shpesh shtetas rumunë – dhe përgatitnin ngarkesat duke i maskuar me mallra të ligjshme si lëndë drusore apo kakao. Përmes tyre kalonin tonelata me lëndë narkotike drejt porteve të Belgjikës, Holandës apo kalimeve tokësore drejt Francës dhe Britanisë së Madhe.

Në terren, në vendet e destinacionit, funksiononte një hallkë tjetër – ajo e shpërndarjes. Këtu përfshiheshin persona që prisnin sasitë e drogës, siguronin dorëzimin dhe shpërndanin lëndën narkotike sipas porosive lokale. Ata përbënin krahun ekzekutiv të rrjetit në Britaninë e Madhe dhe Evropën Perëndimore.

Në vendet e origjinës, në Amerikën Latine, vepronin persona të paidentifikuar që shërbenin si pika kontakti. Ata ishin përgjegjës për sigurimin, ambalazhimin dhe dërgimin e drogës drejt porteve evropiane.

“Gjithçka mbahej nën kontroll përmes komunikimit të koduar nëpërmjet aplikacioneve Sky/ECC,” deklaroi SPAK.

Në aspektin financiar, grupi përdorte sistemin informal të pagesave “Hawala”, për të shmangur sistemin bankar tradicional.

Hetimet nisën në vitin 2021 dhe kulmuan më 25 korrik 2025, me arrestimin e gjashtë personave të dyshuar për përfshirje në trafik ndërkombëtar droge dhe pjesëmarrje në një grup të strukturuar kriminal. Në total janë vënë nën hetim 16 persona.

“Këto hetime janë realizuar në bashkëpunim me autoritetet evropiane të drejtësisë, Byronë Kombëtare të Hetimit, si dhe me strukturat e Policisë së Shtetit gjatë fazës së ekzekutimit,” thuhet në deklaratën e SPAK.

Të dyshuarit akuzohen për veprat penale të “Trafikimit të lëndëve narkotike”, “Grup i strukturuar kriminal” dhe “Kryerje e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal”.

Gjatë ekzekutimit të masave të sigurisë dhe kontrolleve në banesa dhe automjete, autoritetet kanë sekuestruar një sërë pasurish të dyshuara si produkt i veprimtarisë kriminale, përfshirë shuma të konsiderueshme parash, mjete luksoze dhe aksesorë të shtrenjtë.

Janë sekuestruar gjithashtu dokumente identifikimi, kontrata noteriale, certifikata pronësie dhe dokumentacion mbi pasuri të regjistruara në Emiratet e Bashkuara Arabe, Gjermani, Itali dhe Panama.

Sipas SPAK, goditja e këtij grupi është realizuar falë një bashkëpunimi të ngushtë me EUROPOL, EUROJUST, agjencitë ligjzbatuese të Amerikës Latine, partnerët britanikë dhe agjencitë ligjzbatuese të vendeve të BE-së – përfshirë Francën, Italinë, Spanjën, Holandën, Belgjikën dhe Kroacinë.

Kjo goditje konsiderohet si një nga operacionet më të mëdha kundër trafikut të drogës në vitet e fundit në Shqipëri, në një kohë kur vendi përballet me presion të shtuar ndërkombëtar për të goditur krimin e organizuar dhe rrjetet e tij transnacionale.