Sun, Jul 27, 2025

Zjarret ‘pushtojnë’ vendin, PD: Paratë e shtetit shkojnë për luks, ndërhyrja bëhet vonë, pa mjete dhe pa koordinim!

  • PublishedJuly 26, 2025

Zjarret ‘pushtojnë’ vendin, PD: Paratë e shtetit shkojnë për luks, ndërhyrja bëhet vonë, pa mjete dhe pa koordinim!

Ndërsa një sërë vatrash zjarri kanë përfshirë territorin shqiptar nga jugu në veri, Partia Demokratike ka reaguar me akuza ndaj qeverisë, për mungesë gatishmërie dhe keqmenaxhim të situatës së emergjencave civile.

Përmes një deklarate zyrtare, PD i bën thirrje qytetarëve, banorëve dhe turistëve të tregojnë kujdes maksimal, të largohen nga zonat e rrezikuara dhe të ndihmojnë këdo që mund të jetë në nevojë. Sipas selisë blu, situata është bërë edhe më kaotike për shkak të ndërhyrjeve të vonuara dhe mungesës së organizimit nga autoritetet.

“Zjarri nis i vogël dhe lihet të përhapet. Ndërhyrja bëhet vonë, pa mjete dhe pa koordinim. Pamjet që vijnë nga terreni janë të një vendi të sapodalë nga lufta – zjarrfikës me lopata e batanije në përballje me flakët”, thuhet në reagim.

PD akuzon qeverinë se në vend të forcimit të infrastrukturës dhe ekipeve të emergjencës, shpenzon paratë e taksapaguesve për luks, udhëtime me charter dhe investime pa prioritet.

“Për shembjen e bujtinave në Theth, qeveria dërgoi IMT, tatimet, policinë dhe ushtrinë me mjete të rënda, por për shuarjen e zjarreve dërgon lopata dhe shkurre”, thuhet më tej në deklaratë.

Gjithashtu, opozita ironizon projektet e reklamuar si satelitët “Albania 1” dhe “Albania 2” apo dronët e mbështetur me bujë në rrjete sociale, duke shtuar se ato nuk funksionojnë në praktikë dhe nuk përkthehen në ndihmë për qytetarët.

“Zjarret nuk bëjnë pushim, por Edi Rama po. Ai nuk është zjarrfikës, por nuk mund të lejohet të jetë kryeministri që hedh Shqipërinë në zjarr”, përfundon deklarata e Partisë Demokratike.

Aktualisht, situata e zjarreve në disa zona të vendit, përfshirë Borshin, dhe zona të tjera kodrinore e malore, mbetet kritike, ndërsa strukturat vendore raportojnë për përpjekje të vazhdueshme për t’i vënë nën kontroll.

Deklarata e PD: 

Deklaratë e Partisë Demokratike të Shqipërisë

Shqipëria e pushtuar nga zjarret/ PD u bën thirrje qytetarëve të ruhen: Me Edi Ramën kështu do të jetë këtë verë dhe tjetrën, paratë e shtetit i bën shpenzime luksi

Nga Jugu në Veri, Shqipëria është pushtuar nga zjarret.

Ndërkohë që, u bëjmë thirrje banorëve, qytetarëve dhe turistëve të tregojnë kujdes të shtuar, të largohen sa më parë nga zonat e kërcënuara, dhe të ndihmojnë këdo në rrezik. Partia

Demokratike shpreh indinjatën e thellë me reagimin minimalist dhe thuajse përqeshës të autoriteteve.

Jo vetëm ndërhyrjet bëhen me vonesë, por janë mungesa e alarmit dhe angazhimit që e bëjnë situatën të duket edhe më kaotike, kërcënuese dhe dëshpëruese.
Zjarret, përmbytjet, fatkeqësitë natyrore përsëriten në Shqipëri, si në të gjithë botën, dhe kjo nuk është në dorë të qeverive, por përgatitjet, gatishmëria, vullneti, janë detyrë dhe në dorë të tyre.

Siç e kemi parë prej vitesh, qeveria dërgon ushtrinë dhe zjarrfikësit, të cilët u sulen zjarreve me shkurre, me lopata dhe batanije, si në një vend të Botës së Tretë, apo të sapodalë nga lufta dhe në mungesë të mjeteve bazike.

Një pamje tjetër shohim prej tri javësh në Theth, Tiranë dhe gjithandej nëpër Shqipëri.

Për të shembur bujtinat në Theth dhe marrë para shitësit të rigonit në Sarandë, qeveria dërgoi IMT, Tatimet, Policinë dhe Ushtrinë, me mjete të rënda, me arrogancë, të armatosur deri në dhëmbë, në luftë me qytetarët.

Për Edi Ramën, prioritet absolut është uzurpimi i pushtetit lokal, jo zjarret dhe dhjetëra problemet që kërcënojnë qytetarët dhe jetën e tyre.

Për Edi Ramën, prioritet është spektakli me satelitët “Albania 1” dhe “2”, apo dronët për të cilët, pasi i hedh në Facebook për t’u mburrur nuk ka kush as t’i lexojë dhe as kush t’i komandojë.

Sepse, Edi Rama e ka bërë ushtrinë e një vendi të NATOs, një organizatë që shkon të fikë zjarret me shkurre dhe pagure.

Prandaj, përballja me zjarret dhe fatkeqësitë natyrore që kërcënojnë qytetarët janë të mekura.

Do të jetë kështu këtë verë dhe tjetrën, sepse Edi Rama nuk kujtohet dhe as kujdeset për infrastrukturën e shtetit, për fondet e emergjencave, për modernzimin e ekipeve të kërkim-shpëtimit. Paratë që i merr nga taksat i bën shpenzime luksi për vete dhe ministrat, udhëtime me carter, koncerte të shtrenjta apo kopësht 4 milion euro në oborrin e Kryeministrisë.

Edi Rama është me pushime, pasi bëri zhurmën me drejtorët, me heqjen e tendave dhe terrorizimin e Thethit, por zjarret nuk bëjnë pushim dhe pyjet, territori, bizneset, shtëpitë dhe jeta e qytetarëve është në rrezik.

Edi Rama nuk është zjarrfikës, por ai nuk mund të lejohet të jetë Kryeministri që hedh Shqipërinë në zjarr.