Sun, Jul 27, 2025

Përkeqësohet situata e zjarreve në Borsh, situata del jashtë kontrollit! Pritet një rritje e ndjeshme e erës gjatë ditës

  • PublishedJuly 27, 2025

Përkeqësohet situata e zjarreve në Borsh, situata del jashtë kontrollit! Pritet një rritje e ndjeshme e erës gjatë ditës

Zona turistike e Borshit po përballet me një situatë tejet problematike për shkak të një zjarri masiv që ka dalë jashtë kontrollit. Flakët janë përhapur me shpejtësi gjatë natës, duke shkaktuar panik te banorët dhe turistët, veçanërisht kur zjarri iu afrua rrezikshëm aksit nacional Vlorë–Sarandë.

Ndërhyrja po kryhet si nga toka, ashtu edhe nga ajri, por përhapja e flakëve dhe terreni i thyer po e komplikojnë ndjeshëm operacionin. Gazetari Enrik Mehmeti, duke raportuar nga vendngjarja, thekson se situata kërkon një reagim emergjent dhe të koordinuar, ndërsa banorët kanë shprehur pakënaqësi për vonesat në ndërhyrjen e autoriteteve.

Edhe në fshatin Kaninë, pranë Vlorës, një vatër e madhe zjarri ka shkaktuar shqetësim gjatë orëve të natës. Falë ndërhyrjes së menjëhershme të forcave zjarrfikëse dhe ndihmës së komunitetit lokal, situata është vënë nën kontroll, edhe pse ende raportohen vatra aktive në zonën përreth.

“Zjarri në Kaninë u vu nën kontroll falë bashkëpunimit me komunitetin lokal, megjithatë forcat janë të shpërndara në disa zona ku ende ka vatra aktive,” deklaroi gazetari Mehmeti.

Sipas parashikimeve, gjatë ditës së sotme pritet një rritje e ndjeshme e erës, çka rrit ndjeshëm rrezikun për përhapjen e mëtejshme të flakëve dhe vështirëson ndërhyrjen nga ajri.