Boom-i i ‘B&B’-ve sfidon ofertën tradicionale të akomodimit në Durrës

Në zonat turistike të Durrësit, një model i ri akomodimi po ndryshon ekuilibrat e sezonit veror. Rritja e prenotimeve në sistemin “bed and breakfast” (B&B) ka shtyrë shumë familje dhe biznese të vogla që japin dhoma apo apartamente me qira drejt një modeli fleksibël dhe më fitimprurës, por edhe më të lodhshëm.
Në vend të pushuesve afatgjatë, qëndresa e vizitorëve po shkurtohet në vetëm pak ditë, duke i detyruar pronarët të përshtatin apartamentet dhe ritmin e punës me fluksin në rritje të prenotimeve të shkurtra.
“Fenomeni B&B nisi tre vjet më parë,” thotë Florian Tahiri, që drejton një agjenci turistike në Durrës. “Është një sistem me fitim të shpejtë,” shtoi ai, ndërsa theksoi se shumë operatorë po e përqafojnë.
Sipas tij, edhe emigrantët shqiptarë që vijnë me pushime nuk qëndrojnë më gjatë, prenotojnë për pak ditë dhe lëvizin në zona të tjera ose kthehen shpejt në punë.
Sipas Institutit Kombëtar të Statistikave (INSTAT), në qershor 2025, më shumë se 1.9 milionë turistë të huaj vizituan Shqipërinë, duke shënuar një rritje prej 7.2%, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Në lagjet nr. 1 dhe 13, të ndara nga porti detar, modeli B&B është bërë tashmë pjesë e përditshmërisë. Në një pallat pranë shëtitores “Taulantia”, Remzi Llata tregon për BIRN se aktualisht funksionojnë shtatë apartamente si B&B, ndërsa katër vite më parë kjo ishte një risi.
Çmimet ditore, sipas tij, lëvizin nga 60 në 70 euro. Dy prej tyre menaxhohen nga një shtetas rus që i ka marrë me qira afatgjatë dhe i ka kthyer në një biznes të mirëfilltë akomodimi.
“Pushuesit rrinë 1 deri në 5 ditë, dhe çdo herë pas ikjes duhet pastruar e përgatitur për të tjerët,” shpjegon Llata, duke shtuar se tensionet me banorët rezidentë nuk mungojnë. Banorët ankohen ndonjëherë për zhurmat dhe muzikën me volum të lartë.
Për shkak të sfidave të mirëmbajtjes, disa pronarë kanë zgjedhur të kontraktojnë ekipe të posaçme për pastrimin dhe menaxhimin e apartamenteve.
Ndërkohë, dinamika e re po prek edhe bizneset e vogla në lagje. Gita, një punonjëse me përvojë në një furrë buke, thotë se numri i klientëve është dyfishuar.
Megjithatë, për ata që varen nga qiraja tradicionale sezonale, ndryshimi është më pak pozitiv. Në lagjen e plazhit, 4 kilometra nga qyteti, Hysen Hyseni, i cili prej tre dekadash jeton nga dhënia me qira e dhomave, shprehet i zhgënjyer.
“Mirë që nuk investova për restaurimin e shtëpisë, se deri tani më shumë pushues kanë ardhur në maj, se sa tani n ë korrik,” thotë ai. “Vjet në këtë kohë, kisha fituar dyfishin e shumës së tanishme.”
Sipas Hysenit, qytete të tjera turistike si Berati dhe Pogradeci kanë rritur çmimet, ndërsa në Durrës tarifat kanë mbetur të pandryshuara prej 3-4 vitesh. “Sot kam vetëm një familje angleze që ma solli djali nëpërmjet internetit,” shton ai.
Në anën tjetër të medaljes, Irma dhe Beni, që menaxhojnë një banesë dykatëshe, janë të kënaqur me ritmin e sezonit. “Të gjithë vijnë me prenotime përmes Booking, siç i thonë të rinjtë,” thotë Irma. Sipas saj, numri i vizitorëve nga Polonia, Çekia, Spanja apo Italia është i qëndrueshëm çdo vit.
Por jo të gjithë ndjekin standarde profesionale. Sadriu, një administrator lokal që kërkon të mbetet anonim, thekson për BIRN se disa pronarë vendosin foto mashtruese në platformat online, duke shkaktuar pakënaqësi te pushuesit kur arrijnë në vend.
Për Florian Tahirin, suksesi i këtij modeli do të varet nga ecuria e përgjithshme e turizmit. Sipas tij modeli ‘B&B’ është bërë pjesë e realitetit, por edhe ndërtimet intensive në Golem dhe Malin e Robit po ndikojnë.
“E ardhmja do të tregojë nëse kjo do të jetë një zgjidhje e qëndrueshme, apo vetëm një modë e përkohshme,” përfundoi ai.