Tue, Jul 29, 2025

Pas arritjes së marrëveshjes tregtare, BE pranon se nuk ka fuqi të realizojë premtimin për investim prej 600 miliardë dollarësh në SHBA

  • PublishedJuly 28, 2025

Pas arritjes së marrëveshjes tregtare, BE pranon se nuk ka fuqi të realizojë premtimin për investim prej 600 miliardë dollarësh në SHBA

Bashkimi Evropian ka pranuar se nuk ka kompetencë për të garantuar premtimin për investime prej 600 miliardë dollarësh në ekonominë e Shteteve të Bashkuara, vetëm disa orë pasi e bëri këtë zotim gjatë takimeve tregtare historike në Skoci.

Kjo, sipas dy zyrtarëve të Komisionit Evropian, ndodh sepse shuma do të duhet të vijë ekskluzivisht nga investimet e sektorit privat, mbi të cilat Brukseli nuk ka asnjë kontroll.

Të dielën, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, arriti një marrëveshje me presidentin amerikan Donald Trump, për të shmangur një luftë tregtare mes BE-së dhe SHBA-ve. Pjesë e marrëveshjes ishte edhe zotimi për të investuar 600 miliardë dollarë shtesë në SHBA gjatë viteve të ardhshme.

Por të hënën, zyrtarët e Komisionit sqaruan se asnjë pjesë e këtyre fondeve nuk do të vijë nga burime publike.

“Nuk është diçka që BE-ja si autoritet publik mund ta garantojë. Bazohet vetëm në synimet e kompanive private,” – deklaroi një nga zyrtarët e lartë të Komisionit.

Komisioni nuk ka dhënë asnjë afat të qartë për realizimin e investimeve dhe nuk ka propozuar ndonjë nismë për t’i nxitur kompanitë private që të përmbushin objektivin.

Megjithatë, zyrtarët thanë se shifra është rezultat i diskutimeve të detajuara me shoqata biznesi dhe kompani evropiane mbi planet e tyre të mundshme për investime në SHBA.

Tarifat e shmangura

Presidenti Trump kishte paralajmëruar vendosjen e tarifave 30% ndaj shumicës së importeve nga BE që nga 1 gushti, por pas negociatave të së dielës, ai ra dakord që tarifa të zbresë në 15%.

Zotimi i BE-së për 600 miliardë dollarë luajti një rol kyç në këtë kompromis, megjithëse menjëherë u kritikua si një hap që mund të rrezikojë investimet brenda vetë Evropës.

Komisioni nënvizoi se fondet nuk do të vijnë nga taksapaguesit evropianë, në kontrast me Japoninë, e cila ka premtuar të mobilizojë 550 miliardë dollarë në SHBA përmes investimeve si publike, ashtu edhe private.

Megjithatë, shumë analistë janë skeptikë ndaj pritshmërisë që sektori privat do të gjenerojë këtë shumë gjigante.

“Kjo pjesë e marrëveshjes është më shumë performative sesa reale,” – tha Nils Redeker, nga qendra kërkimore Jacques Delors Centre, për Politico. “BE-ja nuk është Kina, askush nuk mund t’u thotë kompanive private sa të investojnë në SHBA”, tha ai.

Aktualisht, investimet private të BE-së në SHBA arrijnë në rreth 2.8 trilionë dollarë, të cilat mbështesin afërsisht 3.4 milionë vende pune. Objektivi i ri do të duhej të shtonte mbi 20% të kësaj shume, diçka që mbetet ende shumë e pasigurt./politico