Netanyahu kundër planit të Britanisë për njohjen e Palestinës: Shpërblen Hamasin
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka reaguar ashpër ndaj njoftimit të Mbretërisë së Bashkuar për njohjen e mundshme të shtetit të Palestinës, duke e cilësuar këtë hap si një “shpërblim për Hamasin”.
Reagimi i Netanyahut vjen pas deklaratës së kryeministrit britanik Keir Starmer, i cili bëri të ditur se Britania do të ndërmarrë hapin e njohjes zyrtare të Palestinës në një takim të Organizatës së Kombeve të Bashkuara që do të mbahet në shtator, nëse Izraeli nuk përmbush disa kushte konkrete.
Starmer tha se vendimi i Londrës do të bazohet në veprimet e qeverisë izraelite për të përmirësuar situatën humanitare në Gaza, përfshirë një armëpushim dhe masa të tjera që synojnë ndalimin e dhunës.
Ndërkohë, më shumë se 140 vende në botë e kanë njohur zyrtarisht Palestinën si shtet, dhe javën e kaluar edhe Franca shprehu gatishmërinë për të bërë të njëjtin hap në mbledhjen e ardhshme të OKB-së.
Kjo zhvillim ndodh në një kohë kur një agjenci ndërkombëtare për sigurinë ushqimore, e mbështetur nga OKB-ja, paralajmëroi se “skenari më i keq i urisë” është duke u zhvilluar në Rripin e Gazës. Nga ana tjetër, autoritetet izraelite mohojnë akuzat për bllokadë të ndihmave humanitare, duke deklaruar se “nuk ka uri” në Gaza dhe se ndihma shpërndahet normalisht.
Përplasja diplomatike vjen në një moment delikat për konfliktin izraelito-palestinez dhe ka gjasa të thellojë ndarjet mes vendeve perëndimore në lidhje me qasjen ndaj Lindjes së Mesme.