Sat, Aug 2, 2025

15 vite pritje, por Dinamo e kthen në festë, tani në turin e tretë sfidojnë gjigandët kroat

  • PublishedAugust 1, 2025

15 vite pritje, por Dinamo e kthen në festë, tani në turin e tretë sfidojnë gjigandët kroat

15 vite pritje, por Dinamo e kthen në festë këtë rikthim në Evropë. Ekipi i Ilir Dajas vuan, por në fund arrin të kalojë Atletic Escaldes, kjo fal suksesit 2-1 në Andorra, pasi sfida e kthimit në “Elbasan Arena” përfundoi në barazim 1-1. “Nëndetësja” del në sipërfaqe, arrin të sigurojë një biletë për në turin e tretë të Conference League aty ku u pret Hajduk Split.

Ashtu siç pritej, Dinamo e nis në sulm këtë takim, me shpresën për të mbyllur sa më shpejt llogaritë me Atletic Escaldes, ku dyshja Itodo-Zabërgja krijuan dy raste brenda 5 minutave të para. Siç është bërë tashmë traditë, për të zgjidhur hallet e Dinamos mendoi i përhershmi Baton Zabërgja, me sulmuesin dardan që u tregua perfekt në minutën e 17-të ku me një goditje të saktë kaloi blutë në avantazh.

Ekipi kryeqytetas kishte kontrollin total të lojë, por me fillimin e pjesës së dytë, pas një zbritje pa shumë pretendime në sulm, Atletic Escaldes befasoi Dinamon duke barazuar shifrat në 1-1. Jo vetëm kaq, por blutë përjetuan makthe vetëm dy minuta më vonë, ku Karamba u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë duke lënë Dinamon me dhjetë lojtarë. Ky takim që dukej një formalitet u ndërlikua jashtëzakonisht shumë, ku u desh dhe një mrekulli e portierit Aldo Teqja për të mbajtur ekipin në lojë.

Pavarësisht se me një lojtar më pak në fushë, Dinamo i shkoi shumë pranë golit të dytë, ku Zabërgja futi një top perfekt në zonë, por Qardaku nuk arriti të koordinohej si duhet duke shpërdoruar një rast të pastër. Për fat të mirë, pas minutës së 77-të, edhe ekipi nga Andorra mbeti me 10-të lojtarë, duke i dhënë frymëmarrje Dinamos për të menaxhuar me qetësi këtë rezultat që i katapulton në turin e tretë të Confernece League. Tani Ilir Dajës dhe stafit të tij i duhet një mrekulli e madhe për të synuar kualifikimin përballë gjigandëve kroat të Hajduk Split.

()


AlbaniaWeb.net